Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Black Scale”, ndërsa janë zbuluar 51 kg kanabis, të ndarë në 48 pako, me qëllim trafikimin në Greqi. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra 30-vjeçari me inicialet N. P., 30 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. P., 38 vjeç (vëllai i shtetasit N. P.), banues në fshatin Rusan, D. C., 41 vjeç, banues në Sarandë dhe Sh. A., 30 vjeç, banues në Tepelenë.

NJOFTIMI I POLICISE
Arrestohet 30-vjeçari që transportonte lëndën, fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas (njëri prej tyre, vëllai i të arrestuarit), bashkëpunëtorë për këtë rast, dyshohet me rolet organizator dhe ndihmës.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e një tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Black Scale”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi N. P., 30 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. P., 38 vjeç (vëllai i shtetasit N. P.), banues në fshatin Rusan, D. C., 41 vjeç, banues në Sarandë dhe Sh. A., 30 vjeç, banues në Tepelenë.

30-vjeçari u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, duke transportuar me automjet tip “Nissan”, 48 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 51 kilogramë e 25 gramë), me qëllim trafikimin në Greqi.
Shtetasi N. P. e kishte fshehur lëndën narkotike tek shasia e automjetit, në një hapësirë të improvizuar.

Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga strukturat hetimore të DVP Gjirokastër, në drejtimin e prokurorit të gatshëm dhe në bashkëpunim me strukturat e DVKM Gjirokastër dhe me ato të DVP Vlorë, dyshohet se 3 shtetasit e shpallur në kërkim, në rolet organizator dhe ndihmës, kanë bashkëpunuar me 30-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Nissan” dhe me 3 celularë të të arrestuarit. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetime me qëllim individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast. Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb