Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Hold on”, duke goditur një rast të dyshuar mashtrimi kompjuterik të organizuar në formën e një call center-i në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar, ambienti i përshtatur si call center ishte vendosur në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohej se kryhej aktivitet i paligjshëm me skema mashtrimi online.
Gjatë ndërhyrjes, u arrestuan në flagrancë katër persona të dyshuar si organizatorë dhe drejtues të veprimtarisë; Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari.
Gjithashtu, 49 punonjës të tjerë u kapën në ambientet e punës dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad, si dhe 107 pajisje të ndryshme elektronike dhe materiale të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimeve. Operacioni u zhvillua nga specialistët e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Krimeve Kibernetike të Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
NJOFTIMI I POLICISE
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Hold on”.
Zbulohet një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku kryhej mashtrim kompjuterik.
Arrestohen në flagrancë 4 organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie.
Procedohen penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë, në këtë ambient.
Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.
Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
