Në Parco Verde di Caivano, në provincën e Napolit, dy kushërira 13-vjeçare u përdhunuan nga një grup adoleshentësh në një kasolle. Ngjarja ka ndodhur në fillim të korrikut. Tufa që do të kishte abuzuar me vajzat përbëhej nga gjashtë persona. Hetimet kanë nisur në gusht kur familjarët e kushërirave kanë paraqitur një denoncim tek karabinierët.

Konfirmimi i dhunës, sipas asaj që rikonstrukton gazeta Il Mattino, do të ishte bërë edhe nga vizitat mjekësore në dy spitalet e qytetit. Për momentin bëhet e ditur se tashmë është identifikuar dhe arrestuar i vetmi i rritur në grup. Ndërkohë është vendosur që dy vajzat të largohen nga Parco Verde dhe tani do të jetojnë në një shtëpi familjare.

Javët e fundit, hetimet kanë vijuar në fshehtësinë më të rreptë, por sipas asaj që rezulton, disa telefona celularë po analizohen për të rindërtuar dinamikën e saktë të fakteve. Dy vajzat dyshohet se ishin dërguar në një kasolle të braktisur në zonë me anë të mashtrimit.

Vetëm pak ditë më parë në Itali u publikua skandali i përdhunimit të një 19-vjeçareje në Palermo nga 7 persona. Hetimet nisën pas denoncimit të viktimës se më 7 korrik ishte dërguar në një zonë të veçuar të qendrës historike dhe përdhunuar nga kriminelët.

Përdhunimi në grup dyshohet se ndodhi në fund të një mbrëmjeje të kaluar nga e reja në ambientet e jetës së natës në Palermo, midis tregut Vucciria dhe Piazza Sant’Anna. Të shtatë, sipas rrëfimit të viktimës, do ta kishin çuar në zonën e Foro Italico dhe disa prej tyre do ta kishin abuzuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: