Ka qenë jo e pakët zhurma që është bërë në mediat sociale nga të rinjtë shqiptarë kryesisht, për përdorimin e fjalës “zdroms” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, drejtuar djemve shqiptar.
Gazetarja Çenkuela Hasa i ka drejtuar në Fit Station të News24 pyetjen kryetarit Erion Veliaj, nësë mendon se gjithë kjo “bujë “ do ndikojë te vota e të rinjve.

“Jo fare, e para punës e kam thënë para 3-4 viteve, do të thotë që dikush vajti e qëmtoi, e kërkoi e nxorri jashtë kontekstit. Unë i njoh kundërshtarët e mi, e di kur gjuajnë nën brez, kur bëjnë me hile, kur i nxjerrin gjërat jashtë kontekstit, kur fabrikojnë lajme. Po i referohesha si më pyetët ju vetë, po i referohesha një gazetare, shumica e atyre që janë mërzitur e dinë cfarë domethënë fjala zdroms. Fjala zdroms domethënë është fjala, prapë te fëmijëria, edhe te buka me vaji me kripë, i referohet kopacit, ne kur ishim të vegjël luanim me kopac, dhe kur një kopac ishte i shtrembër dhe nuk arrije ta dalloje dot me sy do të duhej ta testoje, e gjuaje drejt, ai që niste drejt e devijonte gjatë rrugës ishte zdroms. Pra qëllimin e kishte të mirë po s’ ja qëllonte dhe nuk shkonte në shenjë. Dhe këtu po i referohesha edhe vetes time, jam përpjekur të gatuaj dhe kam kuptuar që jam zdroms, nuk di se kam atë talent. Pra nisem për një qëllim të mirë por nuk e finalizoj dot, – u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se nësë dikush ofendohet mënyra më e mirë për të mos u ofenduar është të sillemi si njerëz që mbajnë barrë, të sillemi si njerëz që mbajmë familjen.

“Si shpjegohet se kur fëmijët lindin raporti është 50 me 50, pastaj si shpjegohet teksa fëmijët rriten janë gocat që shkojnë më shumë në universitet, dhe si shpjegohet që pas universitetit statistikisht sipas INSTAT në të gjithë forcën puntore janë vajzat më të punësuara. Pra ne lindim të barabartë por qartazi vajzat janë më të ftilluara, mësojnë më shumë, punojmë më shumë, për të njëjtat vende pune”- u shpreh kryetari i Bashkisë Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb