Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka propozuar Rusisë një armëpushim të fokusuar në sektorin energjetik, duke theksuar se Kievi është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, nëse Moska vepron njësoj.
Zelensky bëri të ditur se partnerët evropianë kanë përcjellë së fundmi mesazhe për reduktimin e goditjeve ndaj sektorit të naftës në Rusi, si pjesë e përpjekjeve për uljen e tensioneve.
Ai u shpreh se Ukraina është e hapur edhe për një armëpushim gjatë festës së Pashkëve, duke theksuar se një marrëveshje e tillë do të ishte një hap drejt de-përshkallëzimit të konfliktit.
“E theksoj edhe një herë se nëse Rusia është e gatshme të mos e sulmojë sektorin energjetik të Ukrainës, ne nuk do ta sulmojmë sektorin e tyre të energjisë si kundërpërgjigje,” deklaroi ai.
Sektori i energjisë, veçanërisht nafta, mbetet jetik për Ukrainën, si për funksionimin e forcave të armatosura, ashtu edhe për bujqësinë, e cila përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.
