Në një intervistë për News24, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi komentoi zhvillimet politike në vend, protestat studentore dhe situatën në Partinë Demokratike, duke u ndalur te paralelizmat mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Boçi u shpreh se zhvillimet në Serbi përbëjnë një sinjal politik për Ramën dhe pretendoi se rënia e Vuçiçit ka përshpejtuar fundin politik të kryeministrit shqiptar.

Sipas tij, qëndresa e qytetarëve dhe vijimi i protestave tregojnë se presioni ndaj qeverisë nuk po jep efektin e synuar. Ai kritikoi edhe reagimin e policisë ndaj protestuesve, veçanërisht studentëve, duke pretenduar se masat e marra nuk e kanë dobësuar protestën, por kanë shtuar qëndresën e tyre.

Boçi theksoi se një prej kërkesave kryesore të opozitës është krijimi i një qeverie teknike, e cila, sipas tij, do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai akuzoi qeverinë Rama për ngritjen e një mekanizmi që, sipas pretendimeve të tij, mundëson manipulimin e votës përmes ndikimit mbi administratën dhe lidhjeve të dyshimta politike e ekonomike.

Në lidhje me protestat, ai argumentoi se pjesëmarrja e studentëve dhe pedagogëve është tregues i pakënaqësisë së grumbulluar në shoqëri. Sipas tij, kërcënimet me burg dhe masat represive nuk i frikësojnë më qytetarët që kanë vendosur të protestojnë.

 

“Nuk është thjesht një këmbanë alarmi. Është një mësim që Rama mund ta përjetojë, ndoshta edhe në formën më të ashpër, me një diferencë të madhe votash që do të prodhonte largimi i tij, jo vetëm për Partinë Socialiste, por edhe për gjithë politikën shqiptare.

Prandaj thashë se duhet t’i përmbahemi asaj fjalës së urtë gjermane: çdo krahasim çalon. Në rastin e opozitës, krahasimi me Serbinë nuk qëndron plotësisht, por në rastin tonë krahasimi me Vuçiçin mund të bëhet. Megjithatë, rënia e Ramës mund të jetë edhe më e dhimbshme se ajo e Vuçiçit. Në një vend demokratik janë zgjedhjet ato që përcaktojnë nëse një kryeministër do të vazhdojë të drejtojë vendin apo jo. Unë shoh shkallën e lartë të zemërimit dhe qëndrueshmërinë e protestës, si dhe faktin që njerëzit nuk tërhiqen përballë dhunës.

Dhuna e policisë ndaj protestave studentore ka qenë e pakrahasueshme me rastet e mëparshme. Ajo ka qenë e pakufizuar dhe qëllimi ka qenë të frenohen studentët dhe të rinjtë që të mos dalin në protestë. Por ka ndodhur e kundërta: qytetarët dhe studentët janë shtuar, ndërsa qëndresa e tyre është bërë më e fortë. Kjo tregon se kjo mund të jetë rruga për të rrëzuar Ramën. Procesi nis me krijimin e një qeverie teknike, sepse kërkesa ndaj Ramës është e ngjashme me atë që iu bë Vuçiçit: të lejohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, kjo duhet të bëhet përmes një qeverie teknike, sepse Rama ka ngritur një mekanizëm të organizuar për manipulimin e votës, të cilin mund ta përdorë në çdo rast. Ai e kontrollon këtë mekanizëm përmes qëndrimit në pushtet, varësisë që ka krijuar me administratën qendrore dhe vendore, lidhjeve kriminale dhe interesave të dyshimta ekonomike që ka ndërtuar e nxitur. Megjithatë, duket qartë se tronditja ka nisur dhe mbështetja për të ka filluar të bjerë. Rama, si miu në një ndërtesë, e ndien i pari tërmetin. Rritja e agresivitetit të tij tregon, sipas meje, se largimi mund të jetë edhe më i dhimbshëm dhe me pasoja më të rënda për të ardhmen e tij politike. Do të jetë një largim pa kthim për Ramën. Sa më shumë ta zgjasë këtë qëndresë dhe të përdorë forma të ashpra reagimi, aq më të rënda do të bëhen pasojat për të dhe për forcën politike që drejton.

Brenda një force politike tradicionale duhet të ketë zëra që i vënë fre kryetarit kur ai kryen veprime dhe gabime kaq të rënda për vendin dhe për vetë partinë. Këta zëra ekzistojnë, por janë sporadikë dhe nuk sjellin pasoja konkrete. Duhej të kishte një qëndrim më të fortë. Të gjitha këto janë shenja që, sipas meje, tregojnë se rënia e Ramës do të jetë më e dhimbshme.

Kam thënë edhe më herët se në Ballkan ekzistonte një lloj tangoje politike mes Ramës dhe Vuçiçit. Ndoshta ata kanë qenë pjesë e një organizimi që synonte t’i mbante të dy në pushtet, duke forcuar njëri-tjetrin dhe sundimin e tyre mbi popujt përkatës. Rënia e njërit e ka dobësuar automatikisht tjetrin dhe u ka dhënë mesazhe të qarta si atij, ashtu edhe kundërshtarëve të tij: qëndresa duhet të vazhdojë, sepse mund të japë rezultate.

Dhe cili është rezultati? Rënia e autokratit. Sipas meje, autokrati në këtë rast është Rama. Çështja e kohës varet nga mënyra se si menaxhohet kjo qëndresë. Unë mendoj se masat e marra ndaj studentëve nuk e kanë dëmtuar protestën deri në atë pikë sa ta dobësojnë. Nuk besoj se Rama do të ketë kohë të zbatojë presionin ekonomik, fizik dhe atë përmes gjuhës kërcënuese që përdor ndaj studentëve dhe protestuesve.

Nëse Rama pretendonte se do të qëndronte në pushtet deri në vitin 2029, unë mendoj se rënia e Vuçiçit ia ka përshpejtuar fundin politik. Rama e lexon këtë situatë, ashtu siç e lexojnë qytetarët dhe opozita në tërësi. Këto janë mesazhe politike që duhen kuptuar. Secili prej atyre që del në shesh mund të ketë konsiderata pozitive ose negative për opozitën. Por ne jemi opozitë dhe një bashkim i rëndësishëm mes opozitës politike dhe asaj qytetare do ta përshpejtonte këtë proces. Pastaj, votën le ta japë qytetari, sepse ai e di vetë se kë do të zgjedhë.

Nuk duhet të përfshihemi në beteja fjalësh se kush do të marrë më shumë vota. Qytetarët e dinë se çfarë duan dhe zemërimi i tyre është i dukshëm. Ky zemërim është grumbulluar për shkak të shumë çështjeve dhe aferave që kanë dalë në pah. Kur reagojnë studentët dhe atyre u bashkohen pedagogët, kjo tregon se pushteti po përballet me një problem serioz. Rama thjesht po zgjat ditët e tij përmes masave represive, të cilat nuk po arrijnë më ta frikësojnë shoqërinë.

Në vitin 2013, kur Rama fliste për burg, njerëzit mund të frikësoheshin. Sot, kur kërcënon me burg në fund të pushtetit të tij, nuk i tremb më njerëzit që kanë vendosur të protestojnë. Mund të trembë vetëm ata që e rrethojnë dhe i qëndrojnë besnikë, por jo qytetarët që kanë marrë përsipër të dalin në shesh.

Këta njerëz kanë përjetuar dhunën e qeverisë dhe sot po mbajnë qëndrime qytetare. Ata përbëjnë një mbështetje të rëndësishme për protestën, e cila mund të shërbejë si bazë për suksesin e studentëve, të shoqërisë dhe të politikës shqiptare.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb