Fundi i mandatit të Orbán në qeveri pas 16 vitesh mund të ketë implikime të rëndësishme jo vetëm për Hungarinë , por edhe për Bashkimin Evropian, Ukrainën dhe më gjerë.
Largimi i Orbanit do të jetë një lehtësim i madh për BE-në, pasi ai ka ndihmuar Putinin të bllokojë mbështetjen evropiane për Ukrainën.
Kjo ka të ngjarë të shënojë fundin e rolit të diskutueshëm të Hungarisë brenda BE-së, duke hapur potencialisht rrugën për një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, të cilën Viktor Orban e ka bllokuar.
Humbja e Orbanit mund të nënkuptojë gjithashtu lirimin përfundimtar të fondeve të BE-së për Hungarinë, të cilat blloku i kishte pezulluar për shkak të asaj që Brukseli e ka përshkruar si erozion të standardeve demokratike nga ana e tij.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi me gëzim: “Zemra e Evropës rreh më fort në Hungari sonte.”
Zyrtarët e Brukselit e kanë akuzuar prej kohësh Orbanin për minimin e shtyllave kryesore të demokracisë hungareze – nga gjyqësori te media.
Largimi i tij do ta privonte gjithashtu Vladimir Putinin nga aleati i tij kryesor në BE.
Në Hungari, një fitore për partinë Magyar Tisza hap rrugën për reforma që synojnë luftimin e korrupsionit dhe rivendosjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe institucioneve të tjera.
Megjithatë, shkalla e këtyre reformave do të varet nëse Tisza mund të sigurojë shumicën kushtetuese prej dy të tretash që do të nevojitej për të përmbysur pjesën më të madhe të trashëgimisë së Orbán-it.
Orbán e pranoi humbjen e tij, me lot në sy, duke thënë: “Pavarësisht se si zhvillohen gjërat, ne do t’i shërbejmë vendit tonë dhe kombit hungarez nga opozita”.
Kishte shqetësim se Orban nuk do të largohej i qetë, pasi kishte ndërtuar një sistem që e bëri shumë të vështirë për partinë e tij në pushtet, Fidesz, të mposhtej. Por madhësia e humbjes nuk i la zgjidhje tjetër veçse të pranonte rezultatet.
