Nxënësit e shkollës së mesme artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës, kanë marrë pjesë në ekspozitën “Zërat e kujtesës”. Përmes krijimeve të tyre, ata shpalosin jetën në diktaturë.

Pasqyra e heshtur, enët bosh dhe fasadat e lumturisë, e shkuara në sytë e nxënësve të artit

Një enë bosh, një dëshmi e varfërisë dhe mungesës. Argjila që e mbulon, një peshë e së kaluarës, histori vuajtjeje dhe persekutimi. Në qendër, një pasqyrë- reflektim i heshtur që fton shikuesin që të vendosë veten në këtë realitet.

Grisela Feza, nxënëse e shkollës së mesme artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës, është një prej pjesëmarrëseve në ekspozitën “Zërat e kujtesës” që përmes krijimeve të të rinjve, shpalos jetën në diktaturë duke e marrë emrin nga një kolanë e botuar nga Instituti për studimin e krimeve dhe Pasojave të komunizmit. “A mund ta shohësh veten në këtë realiteti”, pyet ajo, ndërsa instalacionin e saj e cilëson një ftesë për të reflektuar. “Pasqyra e heshtur” qëndron përkrah veprave në pikturë, tekstil, vizatim, grafikë që denoncojnë “fasadat e lumturisë”, gjellët për të panjohurit, radhën për ushqim, hijet njerëzore dhe dyert e dhimbjes si porta që u mbyllën përgjithnjë.

Organizatorët, shpjegojnë idenë.

“Projekt i veçantë i ISKK që ka të bëjë me komunikimin me brezin e ri, pjesë e misionit tonë për zbardhjen e së shkuarës në një formë alternative”, thotë drejtori i ISKK Çelo Hoxha.

Donim që pasi të lexonin “Zërat e kujtesës”, nxënësit të shprehnin atë që ndjenin, shprehet Brisejda Lala, e ISKK.

Franc Priska, profesor pikture dhe kurator thotë: (Nxënësit) Arritën të depërtojnë në histori kaq të ndjeshme e t’i kthejnë në ngjyra, formë e fjalë, të krijojnë empati në historitë e së kaluarës. Janë parë në 360 gradë sepse donim të kishte larmi dhe veprat të ndërtoheshin në një koncept.

Të rinjtë u japin fytyrë zërave të harruar që rrëfejnë. Ekspozita qëndron e hapur për dytë ditë pranë Piramidës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: