Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka bërë thirrje për një proces transparent dhe të bazuar në meritokraci në zgjedhjen e avokatit të ri.
E ftuar në News24, Ballanca komentoi zhvillimet rreth përzgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit, duke theksuar se vendimi nuk duhet të jetë rezultat i kalkulimeve politike.
“Narrativa që Avokatin e Popullit duhet ta zgjedhë opozita nuk është narrativa e duhur,” u shpreh Ballanca. Ajo sqaroi se ndonëse opozita mund të jetë propozuesi për shkak të balancave parlamentare, zgjedhja kërkon 84 vota në Kuvend, çka e bën të domosdoshëm konsensusin ndërpartiak.
Ballanca theksoi se procesi nuk duhet të jetë i diktuar nga interesat politike, por të bazohet tek merita profesionale e kandidatëve. “Nëse shkojmë drejt një zgjedhjeje të diktuar që në nisje nga mbështetja politike dhe jo nga kualifikimet profesionale, i japim një goditje që në fillim institucionit të Avokatit të Popullit,” paralajmëroi ajo.
Duke iu referuar praktikave të kaluara në Shqipëri, Ballanca bëri thirrje që ky proces të jetë i ndryshëm dhe i besueshëm për qytetarët, duke vendosur në fokus pavarësinë dhe integritetin e institucionit që ka për mision mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Narravita që Avokatin e Popullit duhet ta zgjedhë opozita nuk është narrativa e duhur. Avokatin e Popullit mund ta propozojë opozita për shkak të votave, duhet një konsensus në Parlament, janë 84 vota dhe asnjë palë politike nuk i ka… Në këto kushte duhet të ketë debat, diskutim dhe konsensus. Midis personave që kanë aplikuar, duhet të përzgjidhet ai që më së miri i plotëson këto kritere. Procesi duhet domosdoshmërisht mbi bazë merite profesionale dhe jo mbi bazë mbështetje politike. Nëse ne shkojmë me atë që ka ndodhur edhe më parë në Shqipëri ku procesi nuk vlerësohet mbi bazë merite profesionale, por mbështetje politike që në fillim i japim një goditje institucionit të Avokatit të Popullit”, u shpreh ajo.
