Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se LVV ka hequr dorë nga pretendimi për postin e presidentit dhe ka ftuar partitë opozitare të kontribuojnë me kandidatura konsensuale për këtë post.
Sipas Nagavcit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë ftuar të propozojnë emra me profil unifikues, jashtë skenës aktuale politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.
Ajo ka bërë të ditur se, pavarësisht deklaratave publike, deri më tani nuk është dorëzuar asnjë propozim zyrtar nga këto dy parti në lidhje me ofertën e LVV-së për një president konsensual.
Nagavci theksoi se LVV mbetet në pritje të propozimeve konkrete edhe gjatë ditës së sotme, duke kërkuar që palët të kontribuojnë në tejkalimin e ngërçit institucional.
Sipas saj, qëllimi i këtij procesi është tejkalimi i krizës politike dhe sigurimi i stabilitetit institucional në vend.
