Sekretari për Diasporën i PD të Rithemelimit Indrit Hoxha, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 me moderatoren Ola Bruko, foli në lidhje me punën e komisionit hetimor për Shëndetësinë dhe TIMS.

Ai tha se mazhoranca po pengon punën e komisioneve me qëllimin që të pengohet transparenbca në lidhje me atë se ku kanë shkuar taksat e shqiptarëve.

Ngritja e dy komisionet ishte shumë e vështirë për opozitën. Kërkesat për ngritjen e të gjitha komisioneve që ne kërkuam nuk u lejua por edhe puna e dy komisionet pengohet duke mos lejuar daljen në drejtë të së vërtetës. Nuk lejohet transparenca në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur me taksat e qytetarëve.

Janë afera me qindra milion dëm. Qëllimi i komisioneve është pikërisht transparenca se ku kanë shkuar paratë dhe të jenë indicie për të ndihmuar SPAK.

Nuk duan fakte të reja dhe shqiptarët të marrin vesh atë që ka ndodhur me paratë e tyre”, tha ai.

Hoxha foli edhe në lidhje me aksionin opozitar i shuar tashmë pas ngritjes së dy komisioneve dhe faktin që ish kryeministri Sali Berisha vijon të mbetet në Arrest Shtëpie.

Indrit Hoxha: Sali Berisha po mbahet peng për t’i djegur mandatin dhe asgjësimin e opozitës shqiptare. Opozita ka hyrë në një rrugë bashkimi, ende nuk jemi në bashkimin e plotë të opozitës shqiptare, në javët e ardhshme pritet një front më i bashkuar.

Ola Bruko: Edhe një aleancë me Bashën?

Indrit Hoxha: Çdo njeri që mendon se Rama duhet të largohet është i mirëpritur. Flitet për një aleancë që shkon përtej emrave të individëve. Mos të çuditemi që në vjeshtë të kemi edhe zgjedhje të parakoshshme.

Anëtari i Kryesisë së PD foli edhe për raportin e DASH dhe shqetësimet e ngritura lidhur me korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e drejtësisë dhe sistemin gjyqësor.

Unë isha i çuditur për diçka te raporti i DASH, nuk ka cituar që këta e kanë perfeksionuar vjedhjen në Shqipëri. Titullarët krijojnë kompani, tenderojnë punët publike dhe i fitojnë vetë punët publike. Taksat e shqiptarëve ngelin në duart e 4-5 personave. Siç është edhe rasti i 5D-së në bashkinë e Tiranës. Qytetarët po protestojnë çdo të premte para bashkisë Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë. Këtu ka një çudi shumë të madhe, çdo titullar institucioni nuk mban përgjegjësi për veprimet e vartësve të tij. Këta thonë kanë ngrënë kumbulla, dardha…bëjnë koka turku 2-3 drejtorë dhe më pas zinxhiri i korrupsionit vijon sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Jo vetëm në bashki, por edhe në Tatime, Dogana, Drejtorinë e Rrugëve, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë – nuk ka një institucion sot të këtij vendi që nuk është akuzuar për korrupsion. Kjo është detyra e Prokurorisë së Posaçme. Reforma në Drejtësi u votua me 140 vota për të luftuar korrupsionin në institucionet e larta. Mjafton që SPAK të marrë raportet e KLSH ndër vite për të parë si është abuzuar me taksat e shqiptarëve. Në 10 vite kemi mbi 20 mld euro dëm në buxhetin e shtetit sipas KLSH. Kaq mjafton që SPAK të nisë hetim për çdo zyrtar nga kryeministri i vendit dhe deri te nëpunësi më i thjeshtë që ka firmosur dhe abuzuar me taksat. Ky televizon të cilin dua ta përshëndes, emisioni Vetting ka bërë disa investigime shumë të rëndësishme se si zyrtarë të lartë të kësaj qverie fshehin pasuritë e tyre, abuzojnë me taksat e shqiptarëve, Prokuroria nuk vepron. Çfarë duhet të presë Prokuroria që të veprojë? E ka të lehtë, të marrë dokumentacionin nga investigimet dhe t’i çojë para drejtësisë. Kjo gjë të marrë fund njëherë e mirë. Kushdo që ka vendosur dorë në taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të japë llogari para drejtësisë“.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb