Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur mbi rolin e task forcës së krijuar mes KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke e cilësuar atë si një nismë të brendshme dhe jo të diktuar nga ndërkombëtarët apo faktorë politikë.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Celibashi theksoi se krijimi i kësaj strukture ishte një iniciativë e përbashkët e tre institucioneve shqiptare, e ndërmarrë pa asnjë shtysë të jashtme. “Përfaqësia ndërkombëtare në Tiranë, që është shumë aktive me politikën dhe institucionet shqiptare, ishte e papërgatitur. Kjo nismë ishte një surprizë edhe për ta,” u shpreh ai, duke shtuar se nuk kishte të bënte fare me nxitjen e ndërkombëtarëve.

Celibashi e vlerësoi task forcën si një eksperiencë pozitive që forcoi integritetin e procesit zgjedhor, duke shtuar se “më së paku, nuk e dëmtoi procesin”. Ai iu përgjigj kritikëve që e kanë parë këtë strukturë si një manovër politike. “Ta shikosh sikur kjo task forcë u krijua për alibi të kryeministrit, është si të thuash që këto institucione janë xhepa të qeverisë dhe kanë krijuar mekanizma për të justifikuar fitoren e mazhorancës,” – theksoi ai, duke mbrojtur pavarësinë institucionale të trupës që drejton.

Sipas Celibashit, prezenca e SPAK dhe e prokurorëve në terren gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve ndikoi pozitivisht, duke dekurajuar ata që mund të kishin synuar shkelje të ligjit. “Nuk e dimë çfarë do të kishte ndodhur nëse ata nuk do të ishin aty. Prezenca e tyre nuk inkurajon ata që synojnë të thyejnë ligjin,” u shpreh ai.

Kreu i KQZ përmbylli se beson se zgjedhjet ishin më të mira falë këtij bashkëpunimi, ndërsa nënvizoi se mbështet mendimet ndryshe, por nuk i sheh si të bazuara akuzat që nismat institucionale të ngjashme janë të motivuara politikisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb