Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me raportin e deputetëve të Partisë Socialiste në Vlorë me qytetarët, duke theksuar se ata nuk duhet të jenë përfaqësues vetëm të PS-së, por të gjithëve qytetarëve të Vlorës dhe vlonjatëve.
Gjatë fjalës së tij në takimin e zhvilluar me socialistët në këtë qark, Rama theksoi se Vlora është shumë e vogël për të lejuar luksin që njerëzit që kanë aftësi dhe dëshirë për të kontribuar të mbeten pas për shkak të bindjeve politike.
Ai kërkoi që deputetët të ofrojnë mundësi për të rinjtë dhe profesionistët e Vlorës, duke ndihmuar në zhvillimin e qarkut dhe të vendit, dhe të jenë pjesë e një PS-je që respekton dhe jep mundësi për të gjithë.
“Jam ndjerë shumë keq në raport se si janë ndjerë në raport me përfaqësuesit tanë këtu. Deputetët tanë nuk duhet të jenë kurrë deputetët e PS për socialistët, por për Vlorën dhe vlonjatët. Vlora është shumë e vogël, për t’i lejuar vetes luksin absurd që të gjithë njerëzit që duhen për të kontruubuar t’i qëmtojnë në një anë. Njerëzit më të mirë dhe profesionistët, ata që duan të punojnë për qarkun dhe Shqipërinë të kenë një mundësi pavarësisht bindjeve. Kjo duhet të jetë PS. Një familje që të ketë kurajën që çdo të ri ta shohë në sy e të mos e privojë nga ajo që meriton, dhe nga respekti”, tha ai.