Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë Berat, Zija Isamili.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama ‘ka frikë nga zgjedhjet e 14 majit, ndaj ka futur në xhep drejtues të opozitës, ashtu siç bëri me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonifgal’.

“Rama ka pushtet 10% më shumë se diktatori i fundit komunist. Sot çdo vendim gjykate, që ka të bëjë me qytetarët diktohet nga një njeri dhe ky e ka emrin Edi Rama. Rama krahas këtyre do mbetet histori i skenarit më makabër, i skenarit të asgjësimit të opozitës. Nëse eterit e tij i morë deputete dhe i vunë pas ekzekutimit, ky pasardhës i tyre pagoi, kontraktoi si pagues me pagesë zyrtarin e FBI-së për të blerë opozitën me gjethe fiku. S’keni parë si grushti i shtetit që bëri Rama për të shkatërruar opozitën. McGonigal tradhtoi vendin e tij, i paguar nga Rama për të shkatërruar opozitën. Ekipi i tij në Tiranë u pagua nga Rama, se  si e si të manipulojë dhe kjo nuk u ndal me kaq. Njëlloj si etërit e tij që ka tolerancë zero. Përveç McGonigal-ëve futi në xhep drejtues të opozitës, si vrasës me pagesë dhe tre ditë para vendimit i mori vulën dhe simbolin partisë suaj me qëllim që të mos hyjmë në zgjedhje sepse ka frikë”, tha Berisha.

Sakaq, foli për emërimet e Ramës për kandidatë të bashkive, ku tha se janë ‘kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur diktatori komunist Enver Hoxha.’

“Kam ardhur shumë herë, kam paraqitur kandidatura, por si doktor Zijai, asnjëherë, ai është i juaji. Është në besimin tuaj, në vullnetin tuaj, që me 14 maj ta vendosni atë si qytetar të parë të Beratit dhe ai do të kthejë bashkinë në shtëpinë e parë të qytetarëve të Beratit.
Kandidatët e primareve, kandidatët e votës së lirë janë sot në këtë Shqipëri me të gjitha atë mirjadë problemesh, rreze shprese, burim drite, optimizmi, për qytetarët e këtij vendi.
Krahasoni pak me kandidatët rivalë. Dolën mbrëmë pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku, diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet, ky ishte procesi, ky është procesi më mafioz, më antidemokratik, më jotransparent në historinë e Shqipërisë.
Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha, me byronë e tij politike. Ervin Dema është një klonim i kësaj kopje dhe unë e pyes këtu; Ervin cilët qytetarë të Beratit janë pyetur për rikandidimin tënd.
Ervin se ti ke ardhur këtu nga bota akademike; çfarë të shtyu ty të injorosh të gjitha formimin akademik dhe të të bëhesh protagonist i mafies më të rrezikshme shtetërore të Europës. Si mund të rivalizosh ti, me një kandidat si doktor Zijai, që ka muaj që është zgjedhur, propozuar, që është votuar nga qytetarët, nga demokratët dhe mbështetësit e PD-së në Berat.
Të krahasosh këto dy kandidatura është si të krahasosh terrin, errësirën, me dritën, me ndriçimin.
Unë ju jap fjalën ju se, votimi juaj në 14 maj për doktor Zijain do të shndërrohet në një shërbim të madh për të gjithë qytetarët e Beratit. Alda tek hapi këtë takim tha se, ai që lind në Berat është me fat. Nuk ka fat më të madh se sa të jesh banor i këtij qyteti dhe këtij rrethi.
Pak ditë më parë po lexoja, njërin nga 50 vende më magjike të planetit, të mbarë botës, ishte Berati. Imagjinoni ju se çfarë krenarie është kjo për çdo banor, shqiptar dhe ju garantoj unë ju se doktor Zijai e nderon plotësisht dhe do ta bëjë Beratin ashtu siç e meriton, qytetin e ëndërrave më të bukura të të rinjve tanë, të fëmijëve tuaj”, tha ish-kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: