Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se janë marrë masat e nevojshme për të garantuar paanshmërinë e administratës publike në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Në një prononcim për mediat, Celibashi theksoi se masat duhet të jenë efektive dhe të parandalojnë ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, në përputhje edhe me rekomandimet e raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ai u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke nënvizuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të adresojnë problematikat e konstatuara në proceset e mëparshme. Ndër çështjet që kërkojnë trajtim përmendi rolin e shtetit në zgjedhje, sjelljen e administratës publike, kontrollet gjatë fushatës, financimin zgjedhor, si dhe procesin e numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve. Sipas Celibashit, një pjesë e këtyre çështjeve duhej të ishte adresuar tashmë nga reforma zgjedhore, por ende ka kohë që palët politike të dakordësohen për ndryshimet dhe t’ia përcjellin më pas KQZ-së për zbatimin e tyre.

“Kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar paanshmërinë e administratës publike. Këto masa, siç rekomandohet dhe në raportet e vëzhgimit ndërkombëtar, do të duhet të jenë efektive, duke shmangur jo vetëm ndërhyrjet e paligjshme. Kjo çështje merr rëndësi dhe në kontekstin e raporteve të vëzhguesve. Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 7 majit, është me rëndësi që të adresohen në ndryshime edhe problematikat e proceseve të mëparshme zgjedhore. Siç janë: roli i shtetit në përgjithësi në procesin zgjedhor dhe sjellja e administratës publike në këtë proces, kontrollet për fushatën zgjedhore dhe financimet, apo edhe numërimi dhe nxjerrja e rezultateve. Reforma zgjedhore, një pjesë të këtyre çështjeve do të duhej t’i kishte përfunduar. Por ka ende kohë që palët politike t’i adresojnë dhe më pas t’ia përcjellin KQZ-së për ndryshimet ligjore të rastit.”, tha ai.

Sa i përket ligjit të ri për ndarjen territoriale dhe nevojës për harmonizimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor, kreu i KQZ-së sqaroi se institucioni zbaton legjislacionin aktual dhe nuk ka bazë ligjore për të diskutuar mbi ndryshime të mundshme. Sa i përket ligjit të ri për ndarjen territoriale, kreu i KQZ-së tha se institucioni aktualisht zbaton ligjin në fuqi dhe nuk ka bazë ligjore për të diskutuar mbi ndryshime të mundshme që mund të vendosen nga palët e interesuara. “Ne e kemi sot në fuqi ligjin për ndarjen e re territoriale dhe nuk mund të amendojmë se çfarë do të ndodhë në vendime të palëve të interesuara. Ne nuk kemi shkak ligjor për të diskutuar për këtë çështje.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: