Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës(KQZ) të vazhdojë me certifikimin e rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Një ankesë tashmë është paralajmëruar nga kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.

Vendimi u mor me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të KQZ-së abstenuan. Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP-ja ka afat prej katër ditësh për shqyrtimin e ankesave. Pas marrjes së vendimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda dy ditësh, ndërsa kjo e fundit ka tri ditë kohë për të vendosur.

Duke u bazuar në këto afate ligjore, vendimmarrja përfundimtare pritet të përfundojë deri në mesin e muajit shkurt. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar se subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së në PZAP, duke filluar nga e shtuna, 31 janar 2026, nga ora 11:00, brenda afatit prej 48 orësh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: