TIRANË-Emri i Drejtorit të Arsimit në Dibër, Drin Gjeci u lakua sot nga selia e PD, duke e akuzuar se po i kërcënon mësuesit me vendin e punës, nëse ata nuk votojne kandidatin e majtë. Por Drin Gjeci në një prononcim për News24 shprehet se ndërhyrja e politikës në arsim ka arritur deri në një telefonatë që kreu i PD, Lulzim Basha i ka bërë personit të tij.
“Mora gjatë ditëve të fundit një telefonatë nga Lulzim Basha. Kreu i PD tentoi të më intimidojë në kryerjen e detyrës sime”, shprehet Gjeci.
Gjeci theksoi se nuk do të pranojë kurrë ndërhyrjet politike në punën e Drejtorisë Arsimore, të cilitdo kah politik të jenë.
“Nuk pranoj në asnjë rast ndërhyrjet dhe presionet politike”.
Kurse deklaratat e PD, i cilësoi si presione që synojnë përbaltjen e institucionit arsimor të Dibrës.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti demokrat Gent Strazimiri denoncoi sot drejtorin e Arsimit në Dibër, Drin Gjeci, i cili sipas tij thërret arsimtarët në zyrë, duke i kërcënuar me njoftime për largim nga puna, nëse nuk votojnë kandidatin e qeverisë. “Janë rreth 300 arsimtarë të kërcënuar deri tani”, u shpreh Strazimiri.
“Ky mercenar i Edi Ramës në Dibër, jo vetëm u ka marrë para mësuesve për ti futur në punë, dhe për këtë ekzistojnë edhe video, por tani ju kërkon edhe votën që të qëndrojnë në punë.
Mercenarët e Edi Ramës, Drin Gjeci me shoke duhet ta dine mire, që presionet e tyre janë dhe do të jenë të vëzhguara, të dokumentuara, dhe do të shërbejnë si provë jo vetëm për vëzhguesit e partnerët ndërkombëtarë, por sidomos për prokurorinë e gjykatën para të cilave do te japin llogari e do të përgjigjen deri më një për krimet e tyre zgjedhore e korruptive”, thkesoi nder te tjera Strazimiri.
Kundër deklaratës së PD, erdhi sot dhe reagimi nga ministrja Lindita Nikolla e cila theksoi se, Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Arsimore s’kanë asnjë lidhje me fushatën e Dibrës.
“Tërësisht e pavërtetë akuza se janë kërcënuar mësuesit për arsye të votimit të 11 shtatorit për Bashkinë e Dibrës. Fatmirësisht koha kur mësuesit kërcënoheshin për votën dhe shkollat përdoreshin si garnizone elektorale nga partia në pushtet, ka perënduar bashkë me pushtetin e Partisë Demokratike”, theksoi Nikolla.
(d.b/BalkanWeb)
