Në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, në News24 ekspertja e çështjeve Zgjedhore, Gerta Meta foli për fushatën zgjedhore të partive të politike në vend.

E ndalur tek çelja e fushatës së Partisë Socialiste, ajo tha se u vu re mbjellja e 61 pemëve, meqenëse zgjedhjet janë në 61 bashki të vendit, një skenar tha ajo që nuk jemi mësuar më parë ta shohim.

Por gjithashtu theksoi se PS duhet të ketë në fokus qytetarët dhe t’u shpjegojë atyre programin dhe plaftormën që do t’u shërbejë qytetarëve.

“Çelja e fushatës së PS ishte një mënyrë modeste sepse ne jemi mësuar të shohim të tjera skenare, por pamë edhe që u mbollën 61 pemë pasi zgjedhjet zhvillohen në 61 bashki. Por do të ishte më e mirë që njerëzve t’u shpjegohet programi dhe platforma. KQZ ka bërë të mundur për të dhënë ca para dhe buxhet nga buxheti i shtetit që qytetarët të njihen me platforma. Pra nuk janë para për të mbjellë pemë. Është një moment që PS duhet ta kishte menduar dhe pse jo ta reflektojë në vijimësi. Urojmë që fushata të jetë larg gjuhës së dhunës, bullizmit. Situata është shumë e tensionuar pavarësisht që bëjmë thirrje që partitë politike të bëjnë fushatë të qytetëruar. Por sulmet, gjuha që përdorin dhe mesazhi që japin tek qytetarët janë të tensionuara”, tha ajo.

Më tej shtoi: sa herë ka diskutim për fletën e votimit, ndonjëherë do ta dalë një mollë sherri për të ngarkuar situatën. Në 2021 kishim një diskutim të fortë,  ju dha shumë kohë partive për të menduar se si do të duhet të ishte fleta. Sot ka një lloj hezitimi për të përcaktuar në fletën e votimit emrin e partisë udhëheqëse. Ligji i detyron partitë politike që të kenë siglën, logon dhe ndoshta këtu mund të ketë edhe një diskutim. Rëndësia e fletëve të votimit duhet të jetë në të njëjtin nivel dhe në të njëjtin standard.

Përballja e kandidatëve, a do të ketë një garë reale?

Gerta Meta: Zgjedhjet lokale janë vetëm për qytetarët, në këtë përballje të kandidatëve, do të ishte qershia mbi tortë që të vinte si risi që kandidatët të përballeshin. Por shihet një frikë dhe një hezitim. Këta njerëz duhet të ishin në një panel dhe secili të shpaloste vizionin e tij se si do të ndryshonte jetë e qytetarëve me platformat e tyre.

Gjithashtu ajo theksoi se prezenca e vëzhguesve vendorë është shumë e rëndësishme për të parandaluar çdo lloj provokimi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb