Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet lokale, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen ndaj kandidatëve të VV-së në komuna të ndryshme të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti vlerësoi qetësinë dhe maturinë me të cilën qytetarët e ushtruan të drejtën e votës, duke e cilësuar ditën e zgjedhjeve si dëshmi të kulturës demokratike në Kosovë.

“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi,” shkroi ai.

Kurti u shpreh mirënjohës për mbështetjen e dhënë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatëve të saj, duke theksuar se ky besim është motiv për të vijuar punën me përkushtim në të mirë të qytetarëve.

“Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara.”

Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të jenë të kujdesshëm dhe profesionalë gjatë fazës së numërimit të votave, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vullnetit të qytetarëve.

“Tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve,” përfundoi Kurti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb