Të dielën u zhvilluan zgjedhjet lokale në landin NRW (Renani Veriore-Vestfali-Nordrhein Westlafen) ku fituese u shpall CDU.
Votat në këto zgjedhje u panë edhe si test i parë politik për qeverinë e koalicionit konservator-socialdemokrat nën kancelarin Friedrich Merz (CDU), pas zgjedhjeve të parakohshme federale në shkurt.
Gazetari i Deutsche Welle, Auron Dodi në një lidhje me Neës24 analizoi rezultatet e arritura dhe cfarë sjellin ato në kampin politik.
News24: Pikërisht, në landin federal të Rinit Verior-Vestfalisë pati të dielën zgjedhje lokale. Rini Verior Vestfalia është nga landet më të mëdha të Gjermanisë, me 18 milionë banorë. Çfarë evidentuan zgjedhjet?
Auron Dodi: Zgjedhjet e së dielës (14.09.) në landin e Rinit Verior-Vestfalisë ishin testi i parë, në zgjedhje, për qeverinë e kancelarit Merz. Qenë zgjedhje në një land federal, popullsia e të cilit përfaqëson 22% të popullsisë së gjithë Gjermanisë.
CDU-ja, parti e qendrës së djathtë, arriti ta mbrojë kryesimin, me 33,3% të votave. Humbi vetëm një pikë nga zgjedhjet e vitit 2020.
Por thellë humbën socialdemokratët, SPD-ja. Ata morën 22,1%. Do të ketë zgjedhje balotazhi në 28 shtator në disa qytete. Veçanërisht në Duisburg dhe Gelsenkirchen, qytete në zemër të zonës industriale të Ruhr-it.
Problem është se SPD-ja po humbet gjithnjë e më shumë bazën e saj tradicionale, punëtorët. Ka një distancim midis ish-partisë së punëtorëve dhe ish-elektoratit të saj kryesor. Dhe kjo mund ta ndryshojë përgjithmonë peizazhin politik të Gjermanisë.[
Kurse partia e skajit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, arriti të trefishojë votat, mori 14.5%. Në Gelsenkirchen, kandidati i AfD-së për kryetar bashkie, fitoi pothuajse 30% të votave. Ai kaloi në balotazh kundër kandidatit socialdemokrat.
News24: Si arriti AfD-ja të fitojë kaq thellë në zonën e Ruhrit, “zemrën historike të socialdemokratëve”?
Auron Dodi: AfD-ja u është drejtuar posaçërisht punëtorëve, si dhe zgjedhësve të klasës së mesme, votuesve të prekur nga deindustrializimi.
Rajoni i Ruhrit përballet me një “imigrim të lartë” dhe “deindustrializim”. Kjo gjeneron pasiguri te njerëzit. Bëhet fjalë për një ish-rajon industrial, që ka dekada që lufton me faktin se atje u braktis nxjerrja e qymyrit dhe prodhimi i çelikut. Atje ka edhe shumë migrantë të ardhur rishtaz. Pra në zonën e Ruhrit kemi një ndryshim të thellë social.
Në këtë boshllëk, AfD përdori një strategji të dyfishtë: kombinoi pakënaqësinë ekonomike me frikën kulturore nga të huajt. Njerëzit, në tërësi, nuk kanë përvoja negative me migrantët atje. Por vështirësitë ekonomike i bëjnë të kërkojnë fajtor kudo.
News24: Pas këtij suksesi të fundit në Perëndim të Gjermanisë, në landin e Rinit Verior-Vestfalisë: a mund të thuhet se AfD po bëhet një “parti popullore”? Apo vazhdon të mbetet fenomen margjinal në Gjermani?
Auron Dodi: Mund të thuhet se AfD është transformuar nga një parti proteste, e sukseshme në kryesisht Gjermaninë Lindore, në një forcë nacionale. Që AfD-ja i trefishoi në 14.5% votat, në zemrën industriale të Gjermanisë, përfaqëson një sukses me rëndësi simbolike.
Megjithatë, pozicioni i AfD-së është më pak i qartë se duket. AfD-ja në fakt humbi mbështetje në këto zgjedhje rajonale në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme të Bundestagut, në shkurt. Atëherë ajo arriti 16.8%. Pra nuk pati një “tërmet blu”, siç ishte frika (blu është ngjyra e AfD-së).
News24: Po, pikërisht. Për t’ju kthyer fjalëve të kancelarit Merz: edhe në fund të gushtit ai tha se shteti social gjerman nuk është „më i financueshëm”. Çfarë do të thotë ai me këtë? A kanë hak për t’u shqetësuar njerëzit?
Auron Dodi: Mendoj se gjërat janë relative: shteti social në Gjermani ende funksionon më mirë se në shtete të tjera. Por duhet të reformohet për kohën e sotme. Sidomos me borxhet e mëdha që mori së fundi për infrastrukturën dhe mbrojtjen, Gjermania ka para në dispozicion. Dhe më parë i ka qeverisur mirë financat kombëtare. Por në buxhete janë rritur mjaft shpenzimet sociale. Ato arrijnë në 1.3 miliardë euro në vit, që përfaqëson 31 % të PBB. Dhe kjo ndeshet me një problem strukturor. Kemi ndryshim demografik të madh në Gjermani: çdo vit, largohen nga tregu i punës rreth 300.000 punonjës, ndërsa hyjnë më pak të rinj. Kjo do të thotë se ka më pak tatimpagues dhe më shumë shpenzime.
Shpresa se kjo do të kompensohet, nga ardhja e një numri më të madh migrantësh; ose nga më shumë lindje fëmijësh, është përmbushur vetëm pjesërisht.
Situata është kritike në lidhje me pensionet: subvencioni shtetëror prej 100 miliardë eurosh (20% e buxhetit federal) mund të trefishohet, po nuk u ndërmorën reforma. Kjo kufizon hapësirën e manovrimit për detyra të tjera të rëndësishme. Sfida është që shteti social i mirëqenies të reformohet pa rrezikuar kohezionin social. Kjo është detyrë delikate, pasi si mungesa e zhdërvjelltësisë, ashtu edhe ambicja e tepërt mund të sjellin probleme afatgjata.
