Çekët votojnë sot për parlamentin e ri, të cilat ka shumë gjasa të shënojnë rikthimin në pushtet të miliarderit Andrej Babis.

Babis rikthehet me premtime për rritje pagash, nxitje të zhvillimit ekonomik dhe, njëkohësisht, uljen e ndihmës për Ukrainën.

Ndryshimi nga qeveria aktuale qendër e djathtë mund të forcojë kampin populist dhe anti-emigracion në Evropë, si dhe kundërshtimin ndaj objektivave klimatike të Bashkimit Evropian.

Qendrat e votimit u hapën sërish sot në mëngjes në orën 08:00 dhe qytetarët mund të votojnë deri në orën 14:00.

Ditën e sotme pritet të shpallen rezultatet e para paraprake.  Sipas burimeve nuk do të ketë parashikime të bazuara në sondazhe pas votimit.

Më shumë se 8 milionë votues të regjistruar po zgjedhin deputetët e parlamentit me 200 anëtarë.

Sipas sondazheve, partia opozitare populiste e djathtë ANO, e udhëhequr nga ish-kryeministri miliarder Andrej Babis, pritet të dalë forca më e madhe politike.

Ndërkohë, aleanca qendro-djathtas Spolu, e drejtuar nga kryeministri aktual Petr Fiala, pritet të pësojë humbje.

71-vjeçari Babis, duke votuar dje në qytetin industrial Ostrava në lindje të Çekisë, deklaroi se synon shumicën absolute për partinë e tij.

Ai është aleat i kryeministrit nacionalist të Hungarisë, Viktor Orbán, në grupimin politik të Parlamentit Evropian “Patriotët për Evropën”.

Babis, i cili ka qenë kryeministër nga viti 2017 deri në 2021, ka mbajtur një qëndrim të paqartë lidhur me ndihmën për Ukrainën, ndërsa kryeministri në largim Petr Fiala është mbështetës i vendosur i Kievit në luftën kundër Rusisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb