Zgjedhjet që u mbajtën ditën e djeshme në Hong Kong, shënuan një pjesëmarrje e ulët, pothuajse rekord, pas një zjarri të tmerrshëm që ndodhi më 26 nëntor, i cili shkaktoi zemërim te votuesit ndaj autoriteteve të mbështetura nga Kina.
Megjithatë, pjesëmarrja e votuesve ishte më e lartë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, katër vjet më parë.
Vetëm kandidatët që konsideroheshin “patriotë” nga qeveria u lejuan të kandidojnë për të fituar një vend në Këshillin Legjislativ prej 90 vendesh, me vetëm 20 deputetë që zgjidhen drejtpërdrejt, ndërsa pjesa tjetër është zgjedhur nga një komision zgjedhor i përbërë nga besnikë të Pekinit.
Oraret e votimit u shtrinë dhe u hapën disa qendra të reja votimi për të inkurajuar qytetarët të shkojnë të votojnë. Qeveria njoftoi se përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhjet për Këshillin Legjislativ arriti në 31,9%, krahasuar me 30,2% që ishte në vitin 2021, e cila përbënte përqindjen më të ulët që nga rikthimi i ish-kolonisë britanike në sovranitetin kinez në vitin 1997.
Zjarri i 26 nëntorit në kompleksin e lartë të banimit ndyshoi “atmosferën sociale, duke e bërë shumë të vështirë organizimin e këtyre zgjedhjeve,” tha sot në një konferencë për shtyp David Lok, president i Komisionit Zgjedhor.
Masat e sigurisë ishin tepër të rrepta në lagjen e veriut të Hong Kongut, Tai Po, afër kufirit me Kinën e kontinentit, ku shpërthyen flakët në shtatë kullat e banesave.
Një numër i madh policësh patrullonin zonën përreth vendit të fatkeqësisë, Wang Fuk Court. Banorët janë të zemëruar pas zjarrit që mori jetën e të paktën 159 njerëzve dhe që kërkoi gati dy ditë për t’u shuar.
Autoritetet thanë se materialet e dobëta që ishin përdorur për renovimin e kompleksit ishin shkaku i shpërthimit të zjarrit. Kryetari i qeverisë lokale, John Lee, deklaroi se qeveria do të bashkëpunojë me parlamentin e ri për të “miratuar reforma institucionale” pas tragjedisë, mes thirrjeve për më shumë llogaridhënie nga qeveria dhe mbikëqyrje më të mirë të sektorit të ndërtimit.
Për të qetësuar zemërimin e popullatës, autoritetet nisën një hetim kriminal dhe një hetim për korrupsion lidhur me zjarri.
