Analistja nga Kosova, Afërdita Maliqi, në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24, ka komentuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se ai është zhvilluar në mënyrë të rregullt, me përjashtim të disa incidenteve të vogla, sipas edhe raportit të misionit vëzhgues të BE-së.
Sakaq, Maliqi ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e Beogradit në procesin zgjedhor.
Ajo ka theksuar se ka pasur thirrje dhe ndërhyrje për të mbështetur një parti të caktuar – Listën Serbe – e cila, sipas KQZ-së, ka marrë shumicën e votave nga komuniteti serb i Kosovës.
Sipas Maliqit, Serbia ka interes që Lista Serbe të jetë pjesë e Parlamentit dhe e qeverisë së Kosovës, duke përdorur këtë për të ndikuar në politikën e brendshme të vendit.
“Procesi zgjedhor është zhvilluar shumë normalisht përveç disa incidenteve të vogla. Raporti i misionit vëzhgues të BE në Kosovë thotë se ka pasur thirrje dhe ndërhyrje nga Beogradi që të votohet për një parti të caktuar, Listën Serbe, e cila sipas KQZ ka marrë shumicën e votave nga komuniteti serb në krahasim me partitë e tjera të komunitetit. Për Serbinë është e rëndësishme që të manipulojë në situata të caktuara, që të ketë Listën Serbe në Parlament dhe pjesë të qeverisë”, u shpreh ajo.