DURRES- Zgjedhjet në Partinë Socialiste të strukturave të reja, dhe të kreut të partisë për Bashkinë e dytë më të madhe në vend, kanë sjellë në një takim shefin e ekzekutivit Edi Rama, njëkohësisht kreu i PSSH. Në takim me strukturat socialiste ishte edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili është edhe koordinatori i PS për Bashkinë e Durrësit.
Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura e pa praninë e mediave.
Burime nga PS bënë me dije se prej javësh që partia Socialiste e Durrësit është përfshirë në një ristrukturim të thellë që ka nisur me zgjedhjet e krerëve të organizatave në bazë.
Burimet nga kjo parti bëjnë me dije se krerët socialistë nën drejtimin e të deleguarit nga qendra, Saimir Tahiri, kanë zhvilluar zgjedhjet për krerët e organizatës socialiste në 18 lagje të qytetit, dhe priten të mbahen edhe në zonat e tjera.
Në takim me Ramën kanë marrë pjesë koordinatorët e rinj, si dhe titullarët aktualë të PS, në Durrës.
Burimet sqarojnë se kërkesë parësore e kryetarit të PS, Edi Rama, është hapja e partisë me frymë të re, dhe anëtarësimet e reja.
Por gjatë mbledhjeve të mëparshme socialistët kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me punësimin e tyre.
(el.sp/BalkanWeb)
