* Në Korçë zgjidhet Rektor Ali Jashari
* Skënder Topi zgjidhet Rektor i Universitetit të Elbasanit
Agron Cuka zgjidhet Rektor në Universitetin e Sporteve
Arben Gjata zgjidhet Rektor në Fakultetin e Mjekësisë

TIRANE- Janë mbajtur sot në të gjithë vendin zgjedhjet për drejtuesit e Universiteteve publike. Stafi akademik dhe studentët i janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur rektorët dhe dekanët, përgjegjësit e departamenteve, dhe bordit drejtues.

Sakaq, deri më tani kanë dalë rezultatet për disa Universitete, ndërsa për UT-në duket se në avantazh është kandidati Mynyr Koni, i cili garon përballë Klodeta Dibrës. Qendrat e votimit, u hapën në orën 08:00 dhe zgjati deri në 16:00, ndërsa pjesëmarrja në Universitetin e Tiranës ishte 98 %.

Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës u zgjodh Andrea Maliqari. Ai u shpall fitues që me votat e pedagogëve. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike fitoi Jorgaq Kacani. Dekan i Fakultetit Teknologji Informacioni u zgjodh Vladi Koliqi, te Inxhinieria Matematike u shpall fitues Ligoraq Nikolla, bashkëshorti i Ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Ai ka qenë i vetëm në garë pasi nuk ka pasur kandidatë të tjerë. Dekan i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimi u shpall Gëzim Hasko. Te Gjeologji-Minierat fitoi Vasil Jorgji. Dekan i Gjeoshkencave u shpall Fatos Hoxha.
Tek Fakulteti i Mjekësisë Arben Gjata është konfirmuar si Rektor me numërimin e votave të studentëve. Agron Cuka zgjidhet Rektor në Universitetin e Sporteve me 53% të votave kundrejt Artan Shytaj.

UNIVERSITETI I ARTEVE
Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Caushi ka fituar me një diferencë të madhe votash ndaj 2 kandidatëve të tjerë në garën për Rektor të Universitetit të Arteve. Ai ka marrë 92 vota.

UNIVERSITETI I SHKODRËS
Ndërsa në Shkodër, Adem Bekteshi do të jetë rektori i ri i Unversitetit. Bekteshi fitoi garën përballë Arjeta Troshanit e cila nuk arriti që të zgjidhej pas numërimit të votave të pedagogëve dhe studentëve.

UNIVERSITETI I ELBASANIT, SKËNDER TOPI ZGJIDHET REKTOR
Ndërkaq në Elbasan ka përfunduar numërimi dhe rektor është zgjedhur profesor Skënder Topi, i cili ishte edhe kandidati i vetëm. Mësohet se Topi ka fituar 92% të votave.

NUMËRIMI PËR STAFET AKADEMIKE NË UT, KONI MUND DIBRËN
Rreth orës 20:00 të mbrëmjes ka përfunduar numërimi i votave për stafet akademike në Universitetin e Tiranës. Nga numërimi ka rezultuar se kandidati për Rektor, profesor Mynyr Koni ka marrë 460 vota, kundrejt Klodeta Dibrës e cila ka marrë 243 vota. Ndërkaq pritet numërimi i votave të studentëve.

Por vota e studentëve ka 10% të peshës në rezultat, ndërsa vota e pedagogëve 90%, çka tregon se rezultati është e vështirë të përmbyset, nisur nga diferenca e madhe mes dy kandidatëve.

ALI JASHARI ZGJIDHET REKTOR I UNIVERSITETIT TË KORÇËS
Ka mbaruar numërimi i votave për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Korçës, ku fitues rezulton Ali Jashari. Ai ka marrë 78 vota, kundrejt kandidatit tjetër për rektor, Lorenc Konomi që mori 68 vota.

VOTIMI NE UNIVERSITETIN E TIRANES
Procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës vijoi normalisht dhe gjatë gjithë ditës nuk u raportua asnjë problematikë. Studentët votuan normalisht në Fakultetet e tyre, për të zgjedhur strukturat drejtuese. Sipas Komisionit institucional zgjedhor, pjesëmarrja në votime ka qenë 98%.

Gazetari Mariglen Mërtiri bëri të ditur se jashtë kamerave ka patur studentë që pretendojnë se kanë parë fotografime të votës, por askush nuk ka pranuar të denoncojë publikisht ndonjë rast konkret.

Ndërkohë, një grup studentësh në Universitetin Politeknik zhvilluan sot një protestë, duke u bërë thirrje studentëve të bojkotojnë procesin zgjedhor. Sipas studentëve protestues, bojkoti është zgjidhja më e mirë, pasi vota e tyre nuk përbën asnjë diferencë në këto zgjedhje.

Studentët thonë se këto zgjedhje nuk do të sjellin asnjë ndryshim si për cilësinë, tarifat dhe kushtet e ambienteve ku ata zhvillojnë mësim.

PJESËMARRJA NË FAKULTETE
Fakulteti i Shkencave Sociale 94.8 %
Fakulteti i Shkencave të Natyrës 98 %
Fakulteti Ekonomik 99 %
Fakulteti i Drejtësisë 97 %
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 98 %
Fakulteti Histori-Filologji 99 %
Departamenti Edukimit Fizik 100 %
Instituti i Fizikës Bërthamore 100 %
Filiali Kukës 100 %
Filiali Sarandë 100 %

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: