Në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme që po mbahen sot, më 11 maj, në të gjithë Shqipërinë, pritet që liderët kryesorë të forcave politike në vend të ushtrojnë të drejtën e votës gjatë orëve në vijim.

Kryeministri Edi Rama pritet të votojë në zonën e Surrelit, rreth orës 10:30, ndërsa kreu i PD Sali Berisha do të votojë në shkollën “Kosova” në Tiranë rreth orës 10:00.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj do të votojë në orën 10.00 në shkollën 9- vjeçare “ Kongresi i Lushnjës” e cila ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”.

Në orën 09:15, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, do të hedhë votën në shkollën “Emin Duraku”, në Njësinë 5 të Tiranës. Më pas, në orën 10:00, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, do të votojë në ambientet e IEVP “Jordan Misja”.

Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, do të votojë në orën 08:30, pranë Çerdhes nr. 13 në Njësinë 8, në rrugën Demir Gashi. Po në të njëjtën orë, kandidati i pavarur Adriatik Lapaj do të votojë në Shkollën e Mesme Ekonomike, në rrugën ‘Myrtezim Këlliçi’.

Gjithashtu, në orën 11:00, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, së bashku me bashkëshorten e tij, do të ushtrojnë të drejtën e votës në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, në Njësinë 5 në Tiranë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb