MAQEDONI- Plot 4706 vëzhgues nga brenda dhe jashtë Maqedonisë do të ndjekin nga afër procesin për zgjedhjet parlamentare të së dielës. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se ky numër është më i madh në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore. Interes më të madh, për të mbuluar votimet ka edhe nga gazetarët e huaj.
KSHZ-ja ka dhënë gjithsej 4047 akreditime për vëzhgues vendas nga gjashtë organizata dhe 659 akreditime për vëzhgues të huaj nga gjithsej 37 organizata. Më shumë vëzhgues të huaj ka nga OSBE-ODIHR, misioni i OSBE-së në Shkup, Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Nga organizatat vendase me numrin më të madh të vëzhguesve prinë Asociacioni qytetarë MOST me mbi 3 mijë të tillë dhe pas tyre Qendra për liri Civile me mbi 300 vëzhgues.
Atyre u është kërkuar qe të njohin mirë Kodin Zgjedhor, të mos mbajnë anë partiake gjatë ushtrimit të detyrës, në asnjë mënyrë të mos ndikojnë në proces, të mos mbajnë simbole partiake, të mos ju japin udhëzime votuesve ose të ndikojnë në vendimin e tyre. Monitoruesit kanë të drejtë të evidentojnë parregullsitë, duke i dokumentuar ato me fakte.
Nga KSHZ-ja zotohen se kanë arritur të evitojnë keqpërdorimet e mundshme me vulat e zhdukura kohë më parë, duke nxjerrë jashtë përdorimit të gjitha vulat e deritanishme të Këshillave Zgjedhor.
“Të gjithë vulat që deri tani kanë qenë në përdorim në të gjithë vendvotimet në vend dhe në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit, janë nxjerrë jashtë përdorimit me vendim të KSHZ-së”, ka shtuar Lupka Guguçevska.
Vulat e reja do të shpërndahen, deri nesër, bashkë me të gjithë materialet tjera zgjedhore. Të shtunën voton diaspora, të burgosurit dhe të sëmurët.
(el.sp/BalkanWeb)
