TIRANE- Gjykata Administrative i ka cilësuar si të pavlefshme zgjedhjet e organizuara në datën 17.04.2015, nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, për zgjedhjen e presidentit aktual, Fatmir Brahimaj. Në vendimin e datës 15 tetor, u pranua padia e bërë ndaj UMSH-së, nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Valbona Doçi, e cila ishte një nga konkurrentet për t’u zgjedhur në krye të UMSH-së.

Doçi kërkoi shpalljen të pavlefshme të procesit, pasi sipas argumenteve të sjella në gjykatë, ishin bërë një sërë shkeljesh procedurale, të cilat bien ndesh me ligjin “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”. Ndër të tjera, në pretendimet përfundimtare të paraqitura nga paditësja thuhet: “Provuam se në bazë të nenit 21, pika 1, të Ligjit nr. 123/2014, datë 25.09.2014, ‘Për Urdhrin e Mjekëve’, pala e paditur ka pasur detyrimin ligjor që brenda 6 muajve të riorganizonte organet e saj drejtuese, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

Nga interpretimi i kësaj dispozite rezulton se: Ndonëse nuk i ka mbaruar mandati, organet drejtuese të Urdhrit të Mjekëve duhet të rizgjidhen dhe të riorganizohen; procesi i zgjedhjes së organeve drejtuese (nga pikëpamja procedurale), duhet të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në Ligjin nr. 123/2014. Procesi i zgjedhjes së organeve drejtuese duhet të përfundojë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit”. Po ashtu, në dokument theksohet se edhe organi kompetent për të zgjedhur presidentin e UMSH-së, nuk është konstituuar në mënyrën e parashikuar në ligj.

“Ne vërtetuam se zgjedhja e Presidentit të ri të Urdhrit të Mjekëve është e kundërligjshme, sepse Këshilli Kombëtar, si organi kompetent i përcaktuar nga ligji për zgjedhjen e presidentit, nuk është konstituuar (nuk është formuar) në mënyrën e parashikuar nga neni 13/1 i ligjit nr.123/2014. Nga përmbajtja e kësaj dispozite, rezulton se Këshilli Kombëtar përbëhet gjithsej nga 25 anëtarë, nga të cilët: 5 anëtarë janë anëtarë ex officio, të përcaktuar nga ligji si të tillë për shkak të cilësisë së tyre (presidenti dhe zv/presidenti) apo për shkak të organit që përfaqësojnë (përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuesi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe përfaqësuesi i Fakultetit të Mjekësisë); 20 anëtarët e tjerë zgjidhen nga Asambleja Kombëtare.

Përmes shkresave ne provuam se pala e paditur ka vepruar në kundërshtim me ligjin si dhe me njoftimin e bërë me shkresën Nr.46 Prot., datë 01.04.2015, pasi në rendin e ditës nuk është parashikuar pika ‘Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar’. Pala e paditur, në kundërshtim me ligjin ka futur në rendin e ditës miratimin e Udhëzimit Nr.2, dt.26.01.2015, të Presidentit të Urdhrit”, thuhet në pretendimet përfundimtare të palës paditëse. Në vijim të argumenteve dhe provave të tjera të paraqitura nga Doçi dhe përfaqësuesi i saj ligjor, Gjykata Administrative e Shkallës së parë ka pranuar kërkesën, duke shpallur procesin e zgjedhjes së Brahimajt si të pavlefshëm, çka mund t’i hapë rrugën zgjedhjeve të reja për kreun e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb