I ftuar në studion e News24, deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, deklaroi se forca politike që ai përfaqëson do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me kandidatët e saj, por edhe me mbështetje për figura që vijnë jashtë politikës tradicionale.

Kapri solli si shembull rastin e Florian Binaj, për të cilin tha se krijoi interes dhe frymë të re te qytetarët.

“Ne do të futemi në zgjedhjet lokale me kandidatët tanë. Kur të shohim kandidatë potencialë do t’i mbështesim. Ndodhi me Florian Binajn, që ne e mbështetëm. Ishte një kandidat që nuk vinte nga politika e 35 viteve”, u shpreh ai.

Sipas Kaprit, ende nuk dihet nëse Binaj do të jetë sërish një alternativë në zgjedhjet e ardhshme, pasi sipas tij “po flitet se duan kandidat politik”, por theksoi se mbështetja për kandidatë jashtë establishmentit do të vijojë.

Gjatë intervistës në News24, Kapri hodhi akuza edhe ndaj mazhorancës për funksionimin e Kuvendit. Ai tha se interpelanca për projektin Thumanë-Kashar është dorëzuar disa herë, por nuk është lejuar të zhvillohet.

“Imagjino të presësh dy vite për të bërë interpelancë. Nuk e lejojnë. Po përmende Belinda Balluku, të përjashtojnë nga parlamenti”, deklaroi Kapri.

Ai foli edhe për një rast që, sipas tij, kishte ndodhur së fundmi në zonën e Rrjollit, ku pretendoi se një emigrant ishte ndaluar nga policia pas sharjeve ndaj qeverisë.

Kapri tha se qytetari ishte ndaluar, i ishte sekuestruar makina dhe ishte akuzuar për fyerje dhe kanosje ndaj efektivëve të policisë.

Erald Kapri: Ne do të futemi në zgjedhjet lokale me kandidatët tanë, kur të shohim kandidatë potenciale do ti mbështesim.

Por ne i qëndrojmë kandidatit jo politik si në rastin me Florian Binaj që ne e mbështetëm, u krijua një frymë, ishte një kandidat që nuk vinte nga politika e 35 viteve, nga pala tjetër ka një tjetër imponim nuk e dimë nëse kandidatura e Florian Binajt do të jetë sërish opsion, po flitet se duan kandidat politik. Ne do ti qëndrojmë kësaj bindje. Rasti i Binajt ishte një rast që ngjalli interesim, duam ta promovojmë këtë gjë.

Interpelanca Thumanë-Kashar është dorëzuar disa herë në Kuvend, na e kanë mohuar.

Imagjino të presësh 2 vjet për të bërë interpelancë.

Nuk e lejojnë, po përmende Belinda Ballukun, të përjashtojnë nga parlamenti.

Unë erdha tani nga Kuvendi. Isha në Rrjoll dhe takuam një emigrant që sapo kishte ardhur nga Rinasi dhe e takuam ishte duke kaluar, ai shau qeverinë e Edi Ramës, e ndoqën me polici dhe e futën në burg pse shau qeverinë, ia sekuestruan makinën dhe e akuzojnë për fyerje e kanosje të efektivëve të policisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb