Kryeministri Edi Rama po flet nga foltorja e Kuvendit për Reformën Zgjedhore, e cila ndodhet ende pa një marrëveshje mes palëve, ndonëse prej ditësh janë angazhuar maksimalisht edhe ndërkombëtarët.

Rama u ndal posaçërisht te çështja e elektronikës në zgjedhje, duke thënë se është diskutuar që pas zgjedhjeve të vitit 2017, dhe se OSBE/ODIHR në asnjë rast nuk e ka mbështetur.

“Do përpiqem të fokusohem në dy cështje, njëra cështje e aktualitetit politik dhe tjetra cështje e aktualitetit qytetar. E kam fjalën për reformën zgjedhore dhe për dhunimin e të miturës, që ka prekur thellë ndjenjat e njerëzve të këtij vendi, të të gjithëve ne.

Po e nis me reformën zgjedhore, jo për nga rëndësia, por sepse besoj që mes këtyre dy cështjeve pika e fundit duhet vënë tek e dyta, sepse shkon përtej debatit të përditshëm dhe të zakonshëm dhe ngre disa shqetësime serioze.
Dua të sjell në kujtesën e të gjithëve se qysh pas zgjedhjeve të vitit 2017 jemi angazhuar publikisht që të adresojmë me synimin e vënies në jetë në zgjedhjet e 2019 cështjen e elektronikës në zgjedhje. Përsëri nëse ju kujtohet që në atë kohë unë kam thënë disa herë se nëse duam dhe më sakt nëse duan seriozisht të përfshijnë elektronikën në proceset zgjedhore kolegët, që aso kohe kanë qenë në këtë sallë dhe sot janë jashtë, duhet të angazhoheshin menjëherë, pasi bëhet fjalë për një process jo të lehtë dhe për një sistem të ri që kërkon kohën e vet për t’u vënë në përdorim.

Dhe këtu kujtoj që asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë vend, por dhe në të gjitha herët kur është pyetur nga ana jonë, e të gjitha palëve, ODIHR nuk ka qenë dhe nuk është entuziast për përfshirjen e elektronikës në zgjedhje. Gjithmonë e sheh teknologjinë me një dozë të lartë skepticizmi për një mijë arsyet që dihen dhe për kërcënimet potenciale të teknologjisë në zgjedhje. Po ashtu, porosity në mënyrë të prerë që teknologjia në zgejdhje, nëse futet, duhet të futet me faza dhe jo menjëherë.

Synimi ynë në atë kohë ishte të hiqnim një alibi të opozitës dhe t’i jepnim mundësi të gjithëve që ta kishin në dispozicion edhe teknologjinë. Prandaj kemi bërë një studim, për të cilin kam folur publikisht, prandaj kemi angazhuar një process të tërë eksperimentimi konkret në PS për të parë sa mund të përdoret teknologjia. Arritëm në konkluzionin se futja e teknologjisë në një sistem online është e mundur dhe mund të sjellë lehtësira jo të vogla në raport me nevojat që kemi. Kështu ne bëmë gjithë përpjekjen tonë që të fillonim me zgjedhjet e 2019 me një projekt pilot në 2-3 zona, ku të mund të shihnim konkretisht rezultatin. Nuk ndodhi, sepse agjenda e opozitës ishte dhe mbetet tjetër”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb