Harta e sulmeve në Lindjen e Mesme është zgjeruar pas përshkallëzimeve të konfliktit dhe sulmeve nga SHBA e Izraelit ndaj Iranit.
Eksperti i Sigurisë Redion Qirjazi në emisionin “Studio24” në News 24, analizoi situatën e luftën në Iran, duke u ndalur edhe tek Shqipëria nëse rrezikon të preket.
Gjatë intervistës, ai shpjegoi disa nga arsyer përse rreziku që të preket Shqipëria është shumë i ulët, ndërsa shton se Irani është një vend tepër racional sa i përket vendimmarrjeve të tij dhe se një sulm ndaj Shqipërisë do të ishte i paprecedent.
“Probabiliteti që ne të pësojmë goditje janë shumë të ulëta. Irani është tepër racional në vendimmarrjen e tij. Një sulm i drejtpërdrejtë me raketa balistike që mund të arrijë deri në 3 mijë kilometra dhe të arrijnë pak a shumë Shqipërinë do të ishte e paprecedent për shkallën e dëmtimin për infrastrukturën civile, e dyta do të legjitimonte aktivizimin e artikullit 5 dhe kjo më pas t’i jepte një justifikim edhe për arenën ndërkombëtare edhe për opinionin publik amerikan që këtë konflikt ta conin edhe më tej…Së treti do të rrëzonte kredibilitetin e regjimit edhe ndërkombëtarisht, pra një goditje në një vend që nuk është drejtpërdrejt i përfshirë, ku Shqipëria e shikon strehimin e MEK në vendin tonë si një operacion jetëshpëtues, pra mbrojtjen e një grupi njerëzish që ishin të persekutuar deri në vdekje nga ai regjim që drejton Iranin. Pra këto janë arsyet kryesore, nëse një gjë e tillë do të ndodhte që siç e thashë probabiliteti është shumë i ulët dhe do ishte mirë që të qetësoheshim. Dy skenarë mund të ndodhnin, i pari do ishte që të aktivizohej artikulli 5 i NATO-s më saktë, ose do të shikonim një nga ata zyrtarët e lartë amerikanë të ulej në aeroport dhe t’i ‘udhëzonte’ qeverisë tonë që të mos kërkonte një aktivizim të artikullit 5 sepse NATO nuk ka oreks për një konflikt të tillë dhe kur themi NATO duhet të kemi parasysh Amerika”, tha ai.
