Në një mbledhje maratonë që zgjati 6 orë, nënkomisioni i Ligjeve për përzgjedhjen e kandidatëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë zgjodhi të mërkurën 4 anëtarët e rinj, përmes një procesi që u kontestua nga opozita.

Pasi nuk u arrit konsensusi mes deputetëve, përzgjedhja u hodh në short, ku nuk parashikoheshin surpriza, pasi ishin aq kandidatë sa edhe vendet vakante në të dy këshillat.

Sipas shortit, anëtarët e rinj të KLGJ-së do të jenë Yllka Rupa dhe Orjona Muçollari, ndërsa në KLP do të shkojnë Ilir Rusi dhe Mirela Bogdani.

Deputetët organizuan një seancë dëgjimore me të katër kandidatët e kualifikuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, të cilët prezantuan platformat e tyre dhe u përgjigjën pyetjeve të deputetëve.

Pas seancës, deputetët debatuan gjatë mbi skualifikimin e pesë kandidatëve dhe përzgjedhjen e katër të tjerëve nga ana e sekretarit të Përgjithshëm, Genci Gjonçaj. Ky i fundit sipas parashikimit kushtetues kalon në sitë të gjithë emrat e votuar dhe vlerësuar me pikë nga Konferenca e Pedagogëve të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e kontestoi që në nisje procesin duke kërkuar argumente ligjore nga Gjonçaj për skualifikimin e kandidatëve. Për tre prej tyre ishte përdorur i njëjti kritet skualifikimi, mosplotësimi i 15 viteve përvojë pune. Artan Koçi, Endri Papajorgji dhe Indrit Shtupi pretendonin se kishin punuar jashtë Shqipërisë, por sipas Gjonçajt, dokumentet e paraqitura prej tyre nuk e vërtetonin këtë eksperiencë pune, pasi u mungonte një dokument i sigurimeve shoqërore në vendet përkatëse.

Debati u fokusua tek kandidati Papajorgji, i cili mori numrin më të madh të votave nga Konferenca e Pedagogëve. Ky i fundit kishte sjellë një kontratë punësimi në Austri për 9 vite pune gjatë kohës që studionte atje.

“Kandidati pretendon se punëdhënësi austriak nuk i ka paguar sigurime, pasi ligji austriak nuk e parashikon pagesën e tyre për pagën 800 euro që ai merrte pranë kompanisë ku punonte. Ne kërkuam nga Institucioni i Sigurimeve në Austri një përgjigje, por nuk na ka ardhur akoma,” tha Gjonçaj. Por, për Bardhin ishte e mjaftueshme paraqitja e kontratës së punës dhe vërtetimi i punëdhënësit austriak për ta cilësuar të plotësuar kriterin e përvojës së punës.

“Ne nuk mund të tallemi me kandidatët, t’i përjashtojmë se kanë punuar jashtë vendit,” tha Bardhi, duke këmbëngulur se qëllimi i mazhorancës ishte që të shkohej në një proces votimi me “kandidatë të paracaktuar”.

Edhe Koçi e Shtupi pretendonin për vite pune në Itali dhe Greqi, të cilat sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, nuk ishin justifikuar ligjërisht me pagesën e sigurimeve shoqërore.

Ndërkohë, kandidati Ilir Duhanxhi ishte përjashtuar pasi kishte marrë nga universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” një masë disiplinore gjatë kohës që zhvillohej procesi i përzgjedhjes së kandidatëve. Masa kishte si shkak deklarimet e tij në seancën dëgjimore në Konfererencën e profesorëve, ku ai i etiketoi drejtuesit e universitetit si “grup i strukturuar kriminal”.

Në një shkresë dërguar komisionit, Duhanxhi pretendonte se masa ishte tendencioze nga drejtuesit e universitetit, të cilët e kishin penguar kandidimin e tij që në fillim. Deputetja Dhurata Çupi tha se nuk duhej marrë parasysh kjo masë, pasi sipas saj, “do të vendosej një precedent i rrezikshëm, ku kandidatët në të ardhmen do të pengoheshin nga kleçka të tilla duke vënë në vështirësi procesin”.

Rasti i tjetër i përjashtimit ishte ai i Saimir Vishajt, për të cilin sipas Gjonçajt, nuk përmbushej kriteri i të qenit “lektor” për 5 vite në fakultetin e drejtësisë dhe nuk zotëronte gradën doktor shkencash. Ai citoi një shkresë të dekanit të Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit Luarasi, nga i cili kandidonte Vishaj, ku thuhej se ai nuk ishte lektor pranë këtij fakulteti dhe nuk plotësonte kushtet për të qënë kandidat.

Gjithashtu, Gjonçaj pretendoi se për disa prej emrave të skualifikaur kishte marrë dhe të dhëna sekrete nga organet e specializuara si Shërbimi Informativ Shtetëror e të tjera, që preknin integritetin e figurës së tyre. Gjonçaj tha se ai kishte zbatuar detyrimet e tij kushtetuese dhe praktikën e mëparshme parlamentare për skualifikimet dhe u kërkoi disa herë deputetëve që të konsultoheshin me të dhënat e klasifikuara para se të merrnin vendimin për të kaluar ndonjërin prej tyre në listën kualifikuese.

“Nëse ju bashkoni 4 vota mund të kaloni secilin prej tyre në listën kualifikuese,” tha ai, duke mbrojtur vendimmarrjen e tij si të paanshme dhe bazuar vetëm në kriteret ligjore.

Deputetët morën disa minuta kohë për të parë dokumentet e klasifikuara si sekret dhe për t’u konsultuar me njëri-tjetrin në zyrën e kryetares së komisionit, Klotilda Bushka. Ndërkohë, rifillimi i mbledhjes u vonua edhe për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në Kuvend.

Anëtarët e opozitës nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre dhe pas konsultimit të të dhënave sekrete, duke ripërsëritur se skualifikimi i kandidatëve ishte bërë në mënyrë të paligjshme dhe kjo kishte sjellë një proces përzgjedhjeje të paracaktuar, pa alternativa.

Gazmend Bardhi dhe Dhurata Çupi votuan pro kualifikimit të tyre, kundrejt 3 votave kundër të mazhorancës, përkatësisht Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi. Dy deputetët e PD-së nuk morën pjesë në votimin e 4 kandidatëve të kualifikuar, duke bërë që asnjëri prej tyre të mos marrë 4 votat e domosdoshme. “Nuk morëm pjesë në votim, pasi nuk paragjykojmë politikisht asnjërin prej tyre,” tha Bardhi, i cili ritheksoi se qëndrimi i tyre kishte të bënte vetëm me procesin.

Në këto kushte, Bushka vendosi të hidhte në short përzgjedhjen e kandidatëve. Në goglat për KLGJ-në ishin tre emra nga të cilët me short u zgjodhën Yllka Rupa dhe Orjona Muçollari. Ndërkohë, shorti për anëtarët e KLP-së kishte vetëm dy emra për dy vende vakante, proces të cilin Bardhi e cilësoi anti-ligjor.

“Koncepti short është që të zgjidhë ngërçin e votimit, por si mund të ketë short për dy vende vetëm me 2 kandidatë,” tha ai. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë humbet besueshmërinë e publikut, pasi ka rënë koncepti kushtetues i shortit,” shtoi Bardhi.

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri argumentoi se shorti ishte i rregullt sepse ligji nuk kishte parashikuar një numër minimal kandidatësh për hedhjen e shortit. “Rasti quhet një koiçidencë ideale,” tha ai, duke shtuar se të gjithë do të donin të kishte më shumë kandidatë.

Bushka vendosi të vijonte procedurën, duke i kërkuar sekretares të fuste dy emrat e kandidatëve Ilir Rusi dhe Mirela Bogdani në gogla dhe duke zgjedhur më pas secilin prej tyre për dy vendet vakante në KLP.

Emrat e përzgjedhur nga nënkomisioni i ligjeve do të kalojnë dhe një votim formal në seancë plenare përpara se të marrin detyrën./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: