Si çdo herë kur ktheheshin nga Italia, prindërit e 40-vjeçarit Ermal Ngucaj nga Lepenica, prisnin që djali i tyre t’i priste para portit të Vlorës, por këtë herë nuk ka qenë kështu.

Prej 4 ditësh Ermal Ngucaj ka humbur kontaktet me familjarët, gruan, prindërit dhe të afërmit e tjerë. Pas disa kërkimeve është gjetur në fshatin Mavrovë të Vlorës automjeti i braktisur i 40-vjeçarit, ndërkohë që asnjë shenjë të tij.

Prindërit thonë për gazetarin Enrik Mehmeti se për herë të fundit ka folur me nusen. I ka thënë: ‘Ik se ngatërrova rrugën’. “Hera e fundit që ka fol me nusen ka qenë ditën e hënë. Më pas telefoni është fikur”, deklarojnë ata. Nusja thotë se dyshojnë t’i ketë ndodhur gjë pasi është hera e parë që Ermali nuk komunikon për kaq gjatë.

Nëna e Ermalit, Mjaftime Ngucaj dyshon se të birin ia kanë rrëmbyer shokët. “Djali ka humbur, e kanë rrëmbyer shoqëria e tij. Shokët e këqij”, thotë ajo duke shprehur bindjen se është një rrëmbim.

Familjarët e Ermal Ngucaj kanë bërë denoncimin në polici për zhdukjen e tij, dhe babai i tij dyshon se i biri është rrëmbyer.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen ndërsa mësohet se 40-vjeçari kishte rreth një vit që kishte dalë nga burgu ku kishte përfunduar pasi u përfshi në një konflikt për shkaqe pronësie. Megjithatë policia po heton edhe në pistën e ndonjë konflikti tjetër që mund të ketë pasur Ngucaj në Itali ku ka jetuar më parë, si dhe të konflikteve për lëndë narkotike. Ndërkohë me lot në sy nëna e tij bën apel që të birin t’ia kthejnë në shtëpi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: