Nga: Klodiana LALA
TIRANE– Altin Murati (në foton), i arrestuar në sekret të plotë pak ditë më parë dyshohet për bashkëpunim në rrëmbimin dhe zhdukjen e Artan Lleshit, siç mëson “BalkanWeb”. Për fatin e 40-vjeçarit nuk dihet asgjë që prej 5 nëntorit 2017, ku u pa për herë të fundit në shoqërinë e mikut të tij, në zonën e Kamzës. Prokuroria e Tiranës, ka dyshime se ai është marrë peng dhe mund të jetë ekzekutuar për motive hasmërie. Ndaj Altin Mario Muratit, gjykata caktoi masën e “arrestit me burg”, për akuzën e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet paraprake rezulton se Altin Murati është personi i cili e nxori në pritë 40-vjeçarin, familja e të cilit është në hasmëri me familjen Hoxha nga Mati me banim në Kurbin. Murati ndërkohë njihet si njeri i afërt i familjes Hoxha. Edhe pse ai mohon të ketë lidhje me krimin, faktet flasin kundër tij.
Dëshmitarët thonë se pak minuta para se të zhdukej, Artan Lleshi u pa në shoqërinë e të dyshuarit Altin Murati, madje ka hipur në makinën e këtij të fundit.

Po si lindi konflikti mes dy familjeve?
Sipas denoncimit të bërë nga i vëllai në Komisariatin nr.3, historia e ka zanafillën në Angli, ku 7 vite me parë, shtetasi Arben Lleshi ekzekutoi Afrim Hoxhën. Por ndonëse Arben Lleshi, kushëri i parë me të zhdukurin u arrestua dhe dënua nga drejtësia britanike e më pas u ekstradua drejt vendit tonë ku po vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë, të afërmit e tij, u ekzekutuan një e nga një, nga persona deri më tani të paidentifikuar.
Vëllai i të zhdukurit Artan Lleshi shpjegon se janë në hasmëri me familjen Hoxha dhe ka dyshime se ata kanë lidhje me zhdukjen e 40 vjeçarit dhe ngjarjet e tjera në seri që u kanë ndodhur në familje.Ai shpjegon se pas krimit që ndodhi në Britaninë e Madhe, është vrarë xhaxhai Xhavit Lleshi dhe me 14 maj 2017 babai i tij, Hajredin Lleshi.
Ky i fundit, u ekzektua në derën e shtëpisë. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, në nëntor të vitit të kaluar është zhdukur pa gjurmë edhe Artan Lleshi. Për momentin ne prang aka përfunduar njëri nga të dyshuarit, por burimet thonë se prokuroria ka prova të forta në duar për të hedhur dritë mbi sagën e gjakmarrjes që ka shkaktuar jo pak viktima,.
(d.d/BalkanWeb)
