TIRANË- Prokuroria ka nisur hetimet për zhdukjen prej 12 ditësh të avokatit Besnik Muço. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria po heton për veprën penale “rrëmbim personi”. Nisja e hetimeve u bë pas denoncimit të vëllait të avokatit Muço.

Në referimin e veprës penale në Prokuroi, OPGJ shkruan se është vënë në dijeni për largimin nga banesa të shtetasi Besnik Muço më datë 10 nënëtor, ditë kur ka bërë kallëzim vëllai i avokatit Viktor Muço.

Punonjësit e tragetit me të cilin udhëtonte avokati Muço kanë shpjeguar se më datë 3 nëntor kur trageti është ankoruar në Bari të Italisë në sallë kanë gjetur një xhup dhe një çantë krahu. Nga këqyrja e çantës është konstatuar dokumente në emër të shtetasit Besnik Muço, me shtetësi italiane dhe kombësi shqiptare.

OPGJ se bashku me specialistin e Policisë Shkencore është shkuar në tragetin e mësipërm ku është këqyrur salla në katin e tetë të tragetit ku janë gjendur xhupi dhe çanta e shtetasi Besnik Muço. Nga këqyrja e xhupit dhe çantës, në zyrën e kapitenit të tragetit është konstatuar një kartë identiteti italiane në emër të shtetasi Besnik Muço, një biletë e datës 2 nëntor ora 20:11, kartë shëndeti italiane në emër të shtetasi Besnik Muço, karta kodicifiskale në emër të shtetasit Besnik Muço etj.

Avokati Muço më parë ka punuar në organet e drejtësisë dhe deri në vitin 1997 ka qenë me detyrë Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë trazirave të marsit 1997, ai bashkë me gruan dhe djalin u larguan në Itali duke u vendosur në provincën e Maçeratas, 50 km larg Ankonas.

Deri para 4 viteve avokati ka qenë në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri pas humbjes së punës pasi ndërmarrja ku punonte u mbyll. Ai u kthye i vetëm, ndërsa gruaja me dy fëmijët tashmë qëndruan në Itali. Ai jetonte prej një viti me qira dhe ushtronte aktivitetin e tij si avokat përballë Prokurorisë së Tiranës bashkë me një person tjetër.

Për të ndarë më shumë kohë më familjen ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata, aty ku edhe jetonte familja.

Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muço nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera.

Sipas vëllait, avokati dyshohet të jetë nisur rreth orës 23:00 nga porti i Durrësit, ndërsa celulari i tij ka qenë i fikur që pas atij momenti.

“BalkanWeb” publikoi dje për herë të parë foton e avokatit Besnik Muço, i zhdukur që prej 2 nëntorit në tragetin e linjës Durrës-Bari teksa ishte nisur për të takuar familjen.

Policia e Durrësit ka sekuestruar kamerat e sigurisë së portit, për të kuptuar nëse Muço është zhdukur në traget, apo nuk ka hipur në të mbrëmjen e 2 nëntorit.

Sipas burimeve nga policia e Durrësit, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muça ka bërë “check in” në portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku dhe si mund të jetë zhdukur.

Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë zhdukur në tragetin e linjës Durrës-Bari, ashtu siç shkruajnë mediat italiane, ndërsa shtojnë se ka mundësi që edhe të mos ketë hipur fare në traget.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb