Nga Klodjana Haxhiaj

DURRËS- Çanta e avokatit Besnik Muço, 52 vjeç, me sendet personale, një kartë qëndrimi italiane dhe xhupi janë sekuestruar si prova materiale nga policia e Durrësit, në tragetin Adria.

Burime konfidenciale nga policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë bërë me dije për “BalkanWeb” se punonjësit e tragetit kanë venë re në sallën e madhe të pritjes, sendet personale të një personi i cili i kishte lënë ato aty dhe nuk i kishte marrë.

Nga këqyrja e sendeve personale ka rezultuar se ato i përkisnin shtetasit shqiptar me nënshtetësi italiane Besnik Muço.

Burimet nga policia thanë më tej për “BalkanWeb” se sendet personale i janë dërguar prokurorisë italiane pas kallëzimit që ka bërë atje bashkëshortja e avokatit të zhdukur prej datës 2 nëntor në portin e Durrësit.

Të njëjtat burime kanë saktësuar se pas denoncimit të vëllait të personit të zhdukur Viktor Mucos, nisën hetimet nga Policia e Durrësit, dhe pritet të sekuestrohen pamjet filmike të portit të Durrësit, nga të cilët pritet që të vërehet fakti se me kë ka hipur në traget, mbrëmjen e 2 nëntorit  avokati i zhdukur pa gjurmë. Analizmi i pamjeve filmike të portit të Durrësit, të pamjeve filmike të brendshme të tragetit por edhe të pamjeve të portit të Barit, pritet të hedhin dritë mbi zhdukjen e avokatit.

Policia e Durrësit është duke pritur një letër porosie nga autoritet e prokurorisë italiane, ndërkohë që në vijim të hetimeve është kërkesa e policisë tek kompania telefonike celulare.

“Do të kërkojmë tabulatet për të parë me kë ka folur për herë të fundit, çfarë ka thënë e kush ka qenë personi me të cilin ka folur. Tabulatet pritet të zbardhin shumë pikëpyetje për fatin e tij, megjithëse pak gjasa ka që të jetë gjallë e të mos komunikojë e familjarët e tij”, pohuan burimet, raporton “BalkanWeb”.

Hetimet për llogari të palës italiane
Meqenëse trageti kishte destinacion Italinë, dhe avokati ishte nisur drejt Italisë hetimet zhvillohen nga pala italiane. Pala shqiptare është ndihmëse e palës italiane në rastin konkret. Avokati mund të jetë hedhur në ujë në ujërat ndërkombëtare apo italiane. Askush nuk e di, për aq kohë sa kamerat brenda tragetit do të tregojnë se deri në çfarë ore ka qëndruar në sallën e pritjes e të qëndrimit avokati.

Pamjet brenda tragetit sekuestrohen nga pala italiane, së bashku me pamjet e portit të Barit, ndërsa pamjet në portin e Durrësit në terminalin e tragetit aty ku avokati ka hyrë, ka bërë chek-in, ka qëndruar e më pas është drejtuar në traget, me kë ka biseduar, etj analizohen nga policia e Durrësit.
Terminali i trageteve në Durrës është i gjithë i monitoruar nga kamera me rezolucion shumë të lartë të cilat në çdo moment monitorohen nga një ekip i forcës së sigurisë portuale. Siguria portuale në shërbimin që ofron ka edhe këtë shërbim i cili është tejet i domosdoshëm. Burimet saktësojnë se pamjet ruhen për një periudhë 30 ditore në servera.

avokati-besnik-muco

avokati-besnik-muco-1

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb