Babai i Ervis Martinaj ka lëshuar akuza në drejtim të institucioneve të drejtësisë sa i takon fatit të djalit të tij. Ai tha sot për mediat se djali i tij ishte ekzekutuar në Durrës. Deklarata e Mustafa Martinajt erdhi pasi ishte i pranishëm sot në GJKKO, ku u mor në pyetje lidhur me sekuestrimin e 34 pasurive të djalit dhe familjarëve.

Mustafa Martinaj tha se ia kishte lënë në dorë Prokurorisë së Lezhës ku edhe është bërë kallëzimi në gusht të vitit 2022 për zhdukjen e Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si ‘Mbreti i lojërave të fatit’.

“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit. Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, tha Mustafa Martinaj.

Seanca e radhës gjyqësore u shty pas dy javësh, teksa po vijon gjykimin mbi kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive. Kujtojmë se Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit të vitit 2022 dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb