Zhgënjejnë skuadrat e mëdha evropiane, në testet e fundit miqësore, para se të nis zyrtarisht Kupa e Botës 2026. Anglia, Holanda dhe Spanja nuk kanë mundur dot të fitojnë pavarësisht se luanin në shtëpi, duke ngritur pikëpyetje lidhur me gjendjen e tyre, vetëm pak javë përpara nisjes së botërorit. Sigurisht bëhet fjalë vetëm për ndeshje kontrolli, por të shohësh emra të mëdhenj si Anglia, Spanja dhe Holanda, që vuajnë për të shënuar, pas një fushate kualifikuese shumë të mire, kjo padyshim që prodhon lajm.

Anglia e Thomas Tuchel, ishte padyshim surpriza e vërtetë e mbrëmjes, me “3 Luanët” që u mposhtën në “Wembley” me shifrat 0-1 nga Japonia. Tuchel aktivizoi në fushë lojtarët me më pak minuta në sfidat e kaluara, aty ku Anglia bëri një paraqitje të mrekullueshme, teksa në Grupin K aty ku ishte pjesë edhe Shqipëria arriti të fitonte të 8 sfidat duke grumbulluar pike të plota. Mitoma ishte autori i golit të vetëm për miqtë në minutën e 23.

Befason Spanja, me kampionët e  Evropës në fuqi që barazuan pa gola 0-0 në testin miqësor përballë Egjiptit. Sfida e luajtur në Katalonjë nuk prodhoi shumë emocione, me spanjollët që dominuan në lojë e në kontrollin e topit, por pa mundur dot të konkretizonin në gol rastet e paraqitura përpara portës kundërshtare.

Barazim edhe për Holandën. “Tulipanët” u ndalën 1-1 ndaj Ekuadorit. Gjithçka u vendos brenda 24 minutave të para. Vendasit kaluan në avantazh falë një autogoli të Pachos, por 9 minuta më vonë mesfushori I Interit Denzel Dumfries do të ndëshkohej me karton të kuq. Miqtë nga Ekuadori do të rivendosnin barazpeshën në minutën e 24 falë penalltisë së shndërruar në gol nga Valencia, rezultat i cili nuk do të ndryshonte deri në fund të sfidës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: