Maks Vershtapen prej kohësh vazhdon të theksojë se nuk do të vonojë shumë për t’u tërhequr nga Formula 1, deklarata që tingëllojnë disi si provokim, duke qenë se holandezi është vetëm 28 vjeç. Megjithatë, një gjë është e sigurt, ai ka kontratë me Red Bull Racing deri në vitin 2028.

“Pa dyshim, e shoh veten pranë fundit. Do të thosha se rregullorja e re nuk po ndihmon në zgjatjen e karrierës sime në Formula 1, por nuk ka rëndësi. Jam i lumtur me rrugëtimin tim dhe mund ta lë pas me lehtësi, pasi kam projekte të tjera”, është shprehur katër herë kampioni i botës në podkastin “Up to Speed”. Planet e tjera të Maksit përfshijnë garën legjendare “24 Hours of Nurburgring”, ku mund të marrë pjesë me ekipin e tij GT3, si dhe nuk përjashtohet që një ditë të garojë edhe në “24 Hours of Le Mans”.

Nga ana tjetër, ylli i Holandës ka theksuar sërish një ide që e ka shprehur disa herë më parë: “Kujt i intereson kur të jesh 60 apo 70 vjeç nëse ke fituar 4 apo 10 tituj? Po rritem dhe preferoj të kaloj kohë me familjen para se ata të mos jenë më. Me kalimin e kohës e kam kuptuar këtë gjë. Kohët e fundit isha duke bërë ski me disa miq të mirë dhe me familjen time dhe kuptova sa fantastike ishte të kalonim disa ditë bashkë, të vlerësonim jetën. Dua të jetoj jetën time, jetohet vetëm një herë. Nuk dua të kaloj 25 vite vetëm duke drejtuar një makinë garash, dua të shijoj atë që ka jashtë. Ndoshta tingëlloj dramatik, por nuk dua të jetoj vetëm për të garuar”, ka shtuar Vershtapen.

E TASHME PREMTUESE

Në një tjetër koment, babai i tij, Jos Vershtapen, ka deklaruar për “RTBF” se kanë shpresa të mëdha për sezonin që është gati të nisë (në Australi). Kjo do të thotë se e tashmja duket premtuese për yllin e Red Bullit. “Nuk mund ta dish kurrë saktësisht se ku qëndron. Në testime nuk e sheh realisht se çfarë bëjnë të tjerët, por duhet të them se jam i kënaqur me atë që kemi parë. Sidomos për sa i përket motorit, përshtypja ime e parë është se është i fuqishëm dhe i qëndrueshëm. Në garën e parë do ta shohim vërtet se ku jemi”, është shprehur Jos. “Ka ende detaje të vogla për t’u rregulluar, gjë krejtësisht normale në këtë fazë. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, por makina po funksionon shumë mirë dhe ka përshkuar shumë kilometra, gjë që është shumë premtuese për fillimin e sezonit”, ka përfunduar babai i kampionit holandez

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb