Nga: Fatmira Nikolli
TIRANE-Më kot unë pyes pse nuk erdhe përsëri/ Kush ti ndali hapat, kush të tha “Mos ik!/ Një lajm i ditës si një krismë tremb çdo shpirt/ Bëhet zog plagosur/ Zemër e vrarë në pritë/ E duam jetën ndaj na lini të jetojmë/ O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë/ E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo/ I kam harruar përkëdheljet mos harro… Autorja e këtyre vargjeve, të këngës së njohur të Elton Dedës e Josif Gjipalit, është poetja Zhuliana Jorganxhi. Prej 20 vitesh e shkëputur nga Shqipëria, ajo ka qenë një prej autoreve të teksteve më të sukseshme të këngëve shqiptare.

Sot, vjen në një rrëfim në”Gazeta Shqiptare” për këngët që morën jetë prej saj, bashkëpunimet me emra të njohur si Vaçe Zela, Alida Hisku, Sherif Merdani, Frederik Ndoci, Ardit Gjebrea, dhe krijimtarinë e frikën nën komunizëm, censurën dhe dënimet për kohën kur të gjithë duhej të ‘lëvdonin’ udhëheqësin. Pse të gjitha i shkruan e i kënduan partisë dhe pse nuk duhet parë si e pavlerë çdo gjë që u krijua në komunizëm, cilat ishin tematikat që kërkoheshin dhe kujdesi për të mos pasur fatin e poetëve të Librazhdit. Kujtimet e saj, nisin në fëmijërinë e hershme në Korçë dhe vijojnë në Tiranën e pasluftës, atë të komunizmit e deri në Shqipërinë pluraliste e ikjen në Itali. Dhe në fund, artistët e para 1990-ës, nuk qenë opium për popullin.

A ka ndikuar fëmijëria juaj në udhën që more më vonë?
Kam lindur në një familje artistësh, ku arti është trashëguar që nga stërgjyshi që ishte muzikant. Muzikën e vijoi babai dhe vëllezërit e tij, njëri në bandën “Vatra” e tjetri në bandën e “Lirisë”. Im atë, që ishte fëmija më i vogël vazhdoi të këndonte në fillim nëpër kisha e më vonë si solist. Më 1928 u bë solist i “Lirës”, derisa dha frymën e fundit.

Muzikanti Thoma Nasi u interesua që t’i jepej bursë babait, por nuk iu dha që të studionte për kanto. Babai ishte jorganxhi, bënte jorganë. Më 1934 u martua me nënën, Natalinë, një grua me kulturë, që kishte mësuar në gjimnaz grek e njihte greqishten e re e të vjetrën. Ajo na ushqeu me dashurinë për letërsinë e për muzikën. Ne jemi katër fëmijë, vëllai i madh mbaroi për dirigjent, motra është dirigjentja e parë shqiptare me diplomë, Rozmari Jorganxhi, që ka mbaruar Konservatorin e Moskës për dirigjim koral dhe kanto dhe ka punuar për 30 vjet në TKOB. Tani, meqë kunati im, Kostandin Leka kishte lindur nga nënë italiane e baba shqiptar, jeton në Trieste. Ime motër në moshën 58-vjeçare filloi punë atje, pasi konkurroi e doli e para. Unë vetë kam studiuar 10 vite piano për kulturë dhe them se ishte muzika që më solli te poezia, sepse motra ime kur vinte me pushime, me sillte opera të ndryshme. Lexoja libretet, dëgjoja Faustin, etj. Ishte ajo që më çoi te poezia.

Kur i shkrove poezitë e para?
Në moshën 17-vjeçare. Më pas vazhdova studimet për Gjuhë-Letërsi në Tiranë dhe jetova në konvikt, ku njoha dhjetëra vajza, e lidha miqësi të ngushta që vijojnë edhe sot, e veçanërisht me Madalena Ujkën, motra e aktorit Tonin Ujka.

Si e mbani mend punën te revista “Shqiptarja e re”?
Në vitin 1968 fillova punë në “Shqiptarja e re”, ku kryeredaktore ka qenë një ndër të parat gazetare në Shqipëri, Ballkiz Halili, për të cilën ruaj konsideratën më të lartë, pasi ka qenë pedagogia ime e gazetarisë. Aty kanë qenë edhe mikeshat e mia, piktorja Eleni Laperi, Natasha Lako, poete e shkëlqyer dhe vijon të jetë njëshi i poezisë për figurën femërore, ka qenë Liljana Cukali e tjerë. Ato 7 vjet që punova aty pata mundësinë të njihesha me problemet e gruas në të gjithë Shqipërinë, sepse vetë profili i kësaj reviste ishin problemet e gruas në fshat dhe në qytet. Nga të gjitha qytetet Shqipërisë më kanë mbetur pa vizituar vetëm Tropoja dhe Përmeti. Aty kam njohur vështirësitë e mëdha të grave tona, të cilat kanë mbajtur e mbajnë një peshë të madhe në fabrika e uzina me tri turne dhe në fshat po ashtu, më shqetësonte fakti që burrat i gjeja nëpër zyrat e kooperativës, ndërsa ato që punonin tokën ishin gratë. Nuk besoj se sot është po ajo gjendje, por kam frikë se nuk ka ndryshuar shumë.

Tekstin e parë për një këngë, kur e ke bërë?
Tekstin e parë e kam bërë më 1968. Miku im, Ruzhdi Pulaha u bë shkak që unë të lidhesha me Radio “Tiranën”. Më ftoi të bëja një tekst për atë, që në atë kohë quhej “Anketa e muajit”. Isha studente dhe bashkëpunova me kompozitorin e ri, student si unë, Ruzhdi Keraj. Bëmë këngën e titulluar “Net provimesh” e kënduar nga Liljana Kondakçi. Ajo fitoi çmimin e parë dhe ju mund të imagjinoni gëzimin tim dhe të gjithë konviktoreve që dilte emri im dhe fitoi çmim.

Kur i botuat poezitë e para?

Unë kujtoj me respekt, atë që u bë shkak për botimin e poezive të mia të para, që ishin lirike. Ka qenë shkrimtari Petraq Qafëzezi, mik i familjes sime. Erdhi në Korçë që t’i merrte poezitë e mia. Gëzimit tim për botimin iu shtua fakti se gazeta “Drita” i nxori në ditën që unë kisha mbrëmjen e maturës. Ishte befasi për mua dhe familjarët e mi, ndaj i jam mirënjohës Petraqit. Njerëzit e njohin për skenarin e filmit “Lulëkuqe mbi mure”, për të cilin bashkëpunoi me të madhin Dhimitër Anagnosti.

Si u bëtë pjesë e Radio “Tiranës”?
U aktivizova gjatë gjithë kohës me radion dhe fitova edhe një çmim të tretë në Festivalin e 7-të me “Artistin e Popullit” Gaqo Avrazin, që sigurisht më gëzoi. Në vitin 1974 unë bashkëpunova me kompozitorin e ri në atë kohë, Enver Shëngjergji me këngën “Vajzat e fshatit tim”, kënduar shkëlqyeshëm nga Alida Hisku. Kjo u bë shkak që mua më kërkuan në radio për tekstet e këngës. Dua të theksoj se para meje me tekstet e këngëve janë marrë poetë si Fatos Arapi, Agim Shehu, Betim Muço, Natasha Lako. Si redaktor ka qenë miku im i shtrenjtë dhe poeti i njohur Sadik Bejko, mirëpo i gërmuan në biografi dhe e hoqën. Unë kam ndjerë dhimbje shumë të madhe kur e kam zëvendësuar, sepse m’u duk sikur i hyra në hak. Nuk ishte faji im. Fillova punë në 1975 dhe gjeta një atmosferë të mirë dhe njerëz të shkëlqyer. Ka qenë i ndrituri Gjon Simoni si përgjegjës i redaksisë së muzikës, si edhe Kujtim Laro redaktor muzikë, Zyhdi Fortuzi dhe Ali Hazbia për muzikën popullore, aty kam njohur edhe Gaspër Çurçia, të cilët më vonë u larguan. Në shtator 1975 erdhi Spartak Tili, Gazmir Mullai, etj.

Ishte e vështirë të punoje aty, kontrolloheshit?
Unë vajta pas festivalit të 11-të. Aty merreshin me tekstet të gjitha institucionet kryesore që jepnin mendime. Çdo vit, në fillim dhjetori, paraqiteshim në sektorin e shtypit ku bëheshin vërejtjet dhe ku bëheshin ndryshime.
Ju i paraqisnit tekstet e shkruara për miratim?
Po, të gjitha tekstet. Bënin vërejtje, ato vërejtjet detyrohesha t’i rregulloja sepse ndryshe nuk kalonin.
Ju shkuat aty pas Festivalit të 11-të, a ndjehej presioni?
Unë nuk mora pjesë në atë festival, pata fat. Atëherë isha 25-26 vjeçe dhe jetoja në konvikt, ku kam jetuar plot 16 vjet. Ne ishim entuziastë para festivalit se kishte frymë liberalizimi.
U ngritën fundet tona mbi gju, pantallonat i kisha qejf kaubojse, pastaj për to hëngra një kritikë të rëndë. Unë e dëgjova festivalin me vajzat e konviktit nr.18. Ishim entuziaste derisa na u tha se ka dalë një fletërrufe nga Ministria e Brendshme dhe filluan pëshpërimat.
Në mars u ndje thellimi i madh, u bë plenumi. Unë Todi Lubonjën e kam njohur, edhe gruan e tij, Liri Lubonjën dhe me Fatosin kishim marrëdhënie të mira. Ai shkruante në atë kohë. Na kanë përkrahur, madje më ishte botuar një poezi e guximshme në atë kohë dhe Todi më kishte mbrojtur në një diskutim të Komitetit Qëndror për poezinë për vajzat tona. Më ka dhimbur në shpirt për Kujtim Spahivoglin, Maks Velon, Mihal Luarasin, Edi Gjergon.

Shtrëngimi kapi edhe piktorët. Si i kujtoni ato kohë?

Në vitet 1970 u hap një ekspozitë e rinisë dhe morën pjesë Edi Hila, piktor i shkëlqyer me “Mbjelljen e pemëve”, që e mbaj mend edhe sot dhe shumë e shumë të tjerë. Menduam se filloi një erë e re, por ata u dënuan për të gjitha këto. Kemi ndjerë shumë dhembje.
Ne si brez kemi qenë të ushqyer me ideologji dhe besuam se do të ishte mirë, se ne vetëm atë ideologji kishim jetuar. I kemi kënduar edhe partisë, edhe udhëheqësit, sepse sidomos pas Plenumit të 4-t, qe bërë si e detyrueshme të kishte një poezi për partinë patjetër.

Kërkohej me detyrim poezia për partinë?

Kërkohej. Të gjithë të asaj periudhe kanë bërë. Le të thotë ndonjëri që unë nuk kam bërë poezi për partinë. Mua le të më gjykojë masa e artdashësve për atë që kam bërë, sepse në krijimtarinë e një artisti do ketë edhe firo, por mua më ka thënë një gjë të bukur shkrimtari dhe regjisori Pëllumb Kulla. Ne na duhej skela për të ngritur veprën, qoftë edhe Ismail Kadaresë e Dritëro Agollit, po edhe ne të tjerëve. Kjo skelë që na duhej ishte ana ideologjike, e brenda pastaj ishin këto që i ngelën kohës. Unë e them në atë këngën: “Ne besuam si fëmijë, ne besuam të dashuruar, se kënduam let it be dhe të rronim të përgjuar. Po ku ishte ti o Zot, për një çast kur të mohuam, falna ti dhe mjaft me lot, veç tek ti kam për të besuar”. Këtë e kam bërë në mars 1992, kurse në dhjetor të 1990-ës kam bërë këngën e parë për demokracinë që e kanë kënduar Ermira Babaliu dhe Anton Joro “Nuk je ëndërr”. Në mars 1990, unë me Gjergj Lekën nxorëm këngën “Ne bijtë e lirisë” ku përmendet fjala demokraci për herë të parë: “Sytë e bukur kudo ka rinia, po ja diku kërkojnë t’ia verbojnë, ajo vetëm me dy gishta ngritur lart, në atë heshtje që kumbon në botë kërkon demokraci”. E kënduar nga Frederik Ndoci, na erdhi një jehonë nga Komiteti Qendror e m’u desh të ndryshoj fjalën dikur me diku.

Ju kërkonin para 1990-ës të kishte tekste këngësh për hidrocentralet, uzinat, etj.?
Ishte një kohë që tematika ishte në plan të parë. Nuk kishte festival pa jehonën e tematikës së vitit. Nëse do të bëhej një hidrocentral, do futej teksti patjetër. Kanë qenë gjashtë tema: klasa punëtore, rinia, mbrojtja e atdheut-detyrë mbi detyrat, atdheut që lulëzon, partisë, proletarit, etj., të gjitha këto duheshin patjetër në festival.

Tekstet bëheshin sipas temave?

Patjetër. Janë bërë me pasion, duke futur shpirtin e tyre edhe në ato që ishin politizime. Të mos kalojmë në ekstreme që çdo gjë që është bërë para 1990-ës, nuk vlen. Këtë e treguan koncertet e këngëve të shekullit. Të gjitha ato këngë kanë mbetur dhe vazhdojnë të këndohen se janë bërë nga poetë të vërtetë e kompozitorë profesionistë. Kam bashkëpunuar me Vaçe Zelën, Mentor Xhemalin, Ramiz Kovaçin, Ema Qazimi, Lindita Theodhori, Justina Alia që ia prenë ëndrrën në mes, Luan Zhegu, Kozma Dushi. Më vonë erdhi edhe Frederik Ndoci, të cklin deri vonë e kishin ndaluar për çështje biografie. E rinxori Ardit Gjebrea me këngën “Pranvera me një lule nuk vjen” që i ndryshuan titullin në “Pranvera do lule shumë”.

Ju ka ndodhur që është përjashtuar kënga për shkak të tekstit?

Ka ndodhur që është përjashtuar kënga dhe teksti së bashku. Ka ndodhur me Agim Krajkën me tekstin tim e që do e këndonte Alida Hisku. Atë kohë e patën me Agimin, i patën gërmuar në biografi. I është hequr kënga Agim Prodanit se iu arrestua vëllai atë vit. “Këngët e rinisë” mezi na e futën në natën e tretë, edhe pse ajo ishte për çmim, por ata po gërriceshin.

A kishit njerëz në Komitetin Qendror që mund t’ju ndihmonin?

Ka pasur njerëz që i njihja që nga koha e shkollës, të cilët morën pozicione të larta, por nuk është se më vlejtën. Një rast më bënë probleme se duhej t’i këndoja mekanizimit të bujqësisë. Miku im, Edmond Tupja, kur ia thashë këtë, më tha: “Jo po t’i këndoje ndërzimit të bagëtisë”. Kemi qenë të detyruar t’i bëjmë këto tekste. I kemi kënduar edhe traktorit të parë, e kush, e madhja Zeliha Sina, por nuk është se kishim rrugë tjetër.
Ju, cilën poezi keni, që e mbani si ‘skelë’ të krijimtarisë suaj, pra një poezi që i dedikohej partisë?
Kemi bërë. Është “Parti e vendit tim”, i kemi kënduar Enver Hoxhës pas vdekjes, me këngën “O Enver, o yll, o dritë”. Nuk e jam pishman për ç’kam bërë se në atë kohë, populli vetë e qau.

Për Vaçe Zelën u tha pas vdekjes së i ka kënduar partisë e udhëheqjes. Si i gjykoni këto mendime?

Nuk është e vërtetë, e filloi karrierën me këngë të huaja si “Esperanca”, që ne na ka rrënqethur. Atë interpretim e ka çmuar Pipo Baudo, siç tregon Astrit Çerma. Ka kënduar këngë franceze dhe për të tjerat është detyruar. Në festivalet e para ajo ka kënduar këngë lirike si “Djaloshi e shiu”, “Erë pranverore”, “Lemza”. Pse të kujtojmë një këngë që mund t’i ketë kënduar ajo partisë dhe jo të tjerat. Unë di vetëm një këngë që i këndoi për ndarjen e tapive në Myzeqe, ku thuhej “rrofsh o komandanti ynë, për këtë që na dhe”. Por, Vaçja duhej ta këndonte atë këngë dhe jo vetëm ajo, edhe të tjerë. Kush nuk ka kënduar në atë kohë? Po ju jap një shembull, Beniamino Gigli, këndoi këngët e fashizmit dhe Duçja e mbajti si këngëtarin e vet, por pas lufte ai u fsheh dhe një ditë pothuaj pa zë iu del para partizanëve, të cilët i thonë: ti i këndove Duçes, fashizmit, tani eja e këndo për ne”. Ata, pra, nuk e dënuan pse i këndoi i fashizmit, sepse çmohet artisti.

Dikush tjetër ne na kishte quajtur opium për popullin. Mua më erdhi keq, sepse ai është djalë me kulturë, por edhe ai po të ishte në vendin tim dhe në vendin e Vaçes, ashtu do të këndonte. Vaçja ka dy a tri këngë të tilla, të tjerat i ka lirike. Pastaj, ajo u ka kënduar vajzave që dhanë jetën për liri me tekstin tim, iu ka kënduar vajzave ilegale që janë vrarë gjatë luftës. Nuk mund të kapet njeriu në dy a tri tekste. Unë te vëllimi im i fundit shkrova këtë poezi: “Më falni ju për këngën zhurmë brohoritjes, më falni ju, dhe ju duhet të mësoni të falni, që të krijonim duhet të flijonim dhimbje të thella që brenda shpirtit qanin”. Sepse unë vërtet bëja ato tekste, por natën kam shkruar dhe ruajtur 300 poezi lirike. Ishte disi kështjella e Rozafës, ndërtonim ditën e shembnim natën. Xhevahir Spahiut për një poezi iu çua karton, Natasha Lakos ia hoqën poezitë nga vëllimi, poetët e Librazhdit u pushkatuan. Të gjitha këto ishin terror dhe nuk ishte e lehtë.
Por, kemi punuar me shumë pasion dhe jo për lekë siç punohet sot. Kam marrë shtatë çmime të para dhe nuk kam marrë para. Më 1991 fitova tri çmime, të parin me këngën “Jon”, të dytin me “Mirësi” dhe të tretin “Këmbanat e shpresës” dhe kam marrë 5 mijë lekë të vjetra, por deri vonë s’kemi marrë para, por ndonjë stilograf kinez e ndonjë qyp.

Me kë ke bashkëpunuar?

Brenda redaksisë kam krijuar redaksinë e poezisë, ku merrja vëllimet poetike e zgjidhja poezitë që mund të bëheshin tekste. Kisha miqtë e mi Xhevahir Spahiu, Pandeli Koçi, Betim Muço, Koçi Petritin, Vullnet Mato, më vonë Gjok Becin që bënin tekste. Unë kam pasur fat që kam bashkëpunuar me gjenerata kompozitorësh si “Artistë të Popullit” si Gaqo Avrazi, Çesk zadeja, Pjetër Gaci, Tonin Arapi, Avni Mula, etj. pastaj Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo. Më pas erdhi brezi i viteve 1980, si Gjergj Leka që e kam nip, Shpëtim Saraçi, Ardit Gjebrea, Ad Hila. Në këtë kohë bëra këngët “Pranvera”, “Jeto dhe jetën time”, “Pranvera me një lule s’vjen” etj., dhe bashkëpunova me brezin e ri të viteve ‘90. Këngën e parë Elton Deda e ka bërë me mua “Jemi emri i vetë jetës”, Alban Emiri këngën e Eltonit “Na lini të jetojmë” ndërsa “Ne bijtë e lirisë” e ka Gjergj Leka me tekstin tim.

“Na lini të jetojmë” është kënduar edhe ne shesh në protestat e 1990-ës. Si u ndjetë?

Jam emocionuar kur i kam dëgjuar të rinjtë t’i këndonin këngët “Na lini të jetojmë” dhe “Jemi emri i vetë jetës”. Kam bashkëpunuar me Luan Zhegun me disa këngë, kur nxorëm në skenë pas 20 vitesh Sherif Merdanin me këngën “Se kënduam let it be”. Me Kujtim Laron punonim mirë se ishte pasionant dhe kam pasur fat, se kanë qenë të talentuar. Uleshim në piano me Agim Prodanin, Limoz Dizadrin, Agim Krajkën edhe 12 orë që të dilte teksti. Me Limoz Dizdarin kemi bërë këngën “Gonxhe në pemën e lirisë”, që fituam çmimin e parë me Robert Shvarc. Unë kam ndjerë dhimbje për të dhe për shumë miq të tjerë, që i kam shprehur në vargjet e botuara pas 1990-ës në vëllimin “Dhimbje e ndaluar”.

Vitet e fundit si kanë qenë për ju?

Kam ikur dhe jetoj në Itali me familjen e motrës sime. Kunati im, që u nda nga jeta para 1 viti, Kostandin Leka më pat krijuar të gjitha kushtet që të kem mundësi të krijoj e të punoj. Ai ka pasur dy prindër të mrekullueshëm që kur jetoja me ta në Tiranë. Ashtu si edhe motra ime, që pat krijuar një harmoni të mrekullueshme në familje, duke më ndihmuar mua dhe të birin, Gjergj Lekën, sepse ne punonim deri vonë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb