Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi për mediat nga jashtë Kuvendit se mësuesit e diplomuar para sistemit të Bolonjës po përballen prej më shumë se një viti e gjysmë me një padrejtësi serioze nga qeveria, pasi u është hequr pagesa e kategorisë dhe nuk janë njohur më si të arsimuar me arsim të lartë apo me diplomë Master.

Sipas Zhupës, ky vendim nxiti një betejë të gjatë nga ana e mësuesve dhe sindikatave, e cila u shoqërua me protesta të vazhdueshme, por që, sipas saj, “ranë në vesh të shurdhër”. Ajo theksoi se institucionet qëndruan në qëndrimin se ky përfitim duhej t’u hiqej mësuesve të kësaj kategorie.

Deputetja bëri me dije se Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar Vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili sipas saj ishte në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti ta rrëzojë këtë vendim.

Zhupa theksoi se pala tjetër në këtë proces ishte qeveria, e cila, sipas saj, synonte të mbante fondet që u takonin mësuesve të diplomuar para sistemit të Bolonjës. Ajo shtoi se projektligji i paraqitur synon të korrigjojë këtë padrejtësi dhe të rikthejë të drejtat financiare të mësuesve të prekur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: