Analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja të ftuar në emisionin ‘Pikat mbi i’, në ‘News24’ , komentuan situatën e brendshme të Partisë Demokratike, duke u ndalur tek deklarata e fundit e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Analisti Artur Zheji u shpreh se mes Bashës dhe Berishës së fundmi ka pasur një tension të lartë dhe kjo shkaktoi edhe reagimin e kryedemokratit Basha, i cili sipas Zheji i kishte toleruar më herët.

“Deri të shtunën Basha e ka refuzuar komentin, por më pas të shtunën u ndal duke mos refuzuar. Besoj që tensioni është në rritej dhe nuk mundet më që Basha të replikojë në mënyrë asimetrike, apo duke i konsideruar sulmet e Berishës si gjëra të padenja për rëndësinë e komenteve. Tani e ka marrë në konsideratë sfidën dhe kjo do të thotë që është rritur është bërë më e rrezikshme dhe presioni që i është Bashës apo këshilltarë që i thonë…ke frikë që nuk flet. Në këtë këndvështrim besoj që kjo ka qenë arsyeja bazike”, tha Zheji.

Gjatë bisedës në studio, analisti Fatos Lubonja u ndal tek dy terma, përkatësisht replikë dhe miza nën kësulë, terma të përdorura në komunikimin e kreut të PD-së gjatë fjalimit të tij të mbajtur të shtunën.

Lubonja tha se kriza në të cilën është përfshirë PD ka nevojë për refleksion.

Po ashtu shtoi se kjo përplasje po kthehet në një ‘luftë meskine’ dhe të dy personazhet, Berisha dhe Basha kanë përgjegjësi.

Pyetje: Përse mendoni se Basha më në fund foli?

Lubonja:  Po i referohem dy termave, replikë dhe miza nën kësulë…Unë mendoj që në këtë krizë që është hapur në PD, në interes jo thjesht të PD por të gjithë shqiptarëve, ne kemi nevojë për refleksion. Refleksion për gjithë çfarë ka ndodhur që na ka sjellë në këtë pikë, PD! Unë do të rekomandoja ulje dhe reflektim të përbashkët se si kemi arritur deri këtu dhe cilat janë përgjegjësitë tona , nëse duhet të ndryshojmë apo të ikim dhe t’ja lëmë disa të tjerëve. Kjo mungon. Unë mendoj që kjo luftë e vogël bëhet meskine, pikërisht sepse kanë përgjegjësi. Pra ky është PD ka humbur sepse në thelbin e vet nuk ka punuar për shqiptarët, por për oligarkët dhe një pakicë dhe këta kanë qenë pjesë e këtij bashkëpunimi dhe ndaj kanë mizën në kësulë dhe nuk qasen dot. Unë mendoj që detyra e parë e Bashës nuk është të thotë, “Unë s’të lejoj”! Por mund të thuash ne nuk të lejojmë… dhe lind pyetja kush jemi ne që nuk të lejojmë? Pra dhe këtu nis problemi… Jemi në një situatë që në vend që të sqarojnë, vazhdojnë përplasjet në distancë.

Më tej Zheji u shpreh se Basha po tregon se nuk është aq radikal sa të dalë kundër amerikanëve.

“Opozita pavarësisht vullnetit amerikan duhet të ketë përballë vetëm kundërshtarin politik. Mesazhi kryesor i Bashës: “Nuk jemi dot kaq radikalë sa ti lejojmë vetës të jemi antiamerikanë”. Pra të çosh opozitën shqiptare sot në një përplasje jo me vetëm me Ramën, por edhe me amerikanët do të thotë ta vrasësh atë. Unë besoj që Basha është aq modestisht i kthjellët për të thënë që unë nuk e bëj dot këtë”, tha ai.

Ndërsa për analistin Lubonja, kryedemokrati Basha sot nuk e ka popullin me vete dhe sipas tij është i shantazhueshëm.

Kjo sipas analistit ka shkaktuar edhe gjendjen e nënshtruar të kësaj klase politike.

“Unë mendoj që Basha do të mund ta bënte këtë sikur të kishte popullin me vetë dhe nëse nuk do të ishte i shantazhueshëm. Dua të kujtoj një lëvizje civile kundër plehrave që detyroi Edi Ramën të kthehet pas. Shqipëria sot është në një ditë që sikur të donin sot amerikanët të dërgonin armë kimike për të pastruar, nuk do të kishte më rezistencë , kjo është për shkak të kësaj klase politike që qeveris me ambasadorë dhe jo për popullin shqiptar. Basha shantazhohet sepse në shumë gjëra figuron bashkë me Berishën. Në ato akuza që janë ngritur, që nuk e dimë se kush i nga ngritur…Unë jam kundër tezës ‘amerikanët’”, tha ndër të tjera Lubonja.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb