Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë. Sarrazin pak para takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka dënuar ndërhyrjen e qeverisë së Kosovës dje në Veri.
“Në Kosovë për të vlerësuar situatën, duke folur me EULEX, KFOR, Qeverinë e Kosovës, Serbët e Kosovës në Mitrovicë. Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri dhe reagimet e dhunshme ndaj saj”, ka theksuar ai në Twitter.
Të premten grupe qytetarësh serb u përplasën me Policinë e Kosovës, e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit për të hyrë në zyrat e tyre.
Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë dhe dëmtuan disa të tjera.
Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime.
“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
