Një vatër zjarri me përmasa të konsiderueshme ka rënë gjatë natës së fundit në fshatin Gjyralë, pjesë e Bashkisë së Cërrikut. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe bimësi të ulët, duke u përhapur në zonë.

Pas marrjes së njoftimit, strukturat vendore kanë reaguar menjëherë për menaxhimin e situatës. Në vendngjarje janë dërguar dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës, dy mjete, si dhe forcat e emergjencave civile të Cërrikut.

Ekipet kanë punuar gjatë natës dhe vijojnë ndërhyrjen për izolimin e vatrave, vënien e flakëve nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit.

Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Banesat e fshatit Gjyralë ndodhen në distancë të sigurt nga vija e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit kanë krijuar një perimetër mbrojtës për të garantuar që flakët të mos afrohen drejt banesave.

Aktualisht, operacioni vijon dhe forcat e emergjencës do të qëndrojnë në gatishmëri për monitorimin e situatës dhe eliminimin e çdo vatre të fshehur, me qëllim shmangien e riaktivizimit të zjarrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb