Një vatër zjarri ka përfshirë sërish sot qytetin e Poliçanit, duke rënë për të dytën herë brenda pak ditësh në të njëjtën zonë — kodrat përreth Uzinës së Armëve.

Flakët, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, janë përhapur me shpejtësi në pjesën perëndimore të kodrës, pranë zonës B. Në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit e Poliçanit, të mbështetur nga tre mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë të repartit zjarrfikës të Beratit, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve.

Në operacion janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë, ndërsa burime nga terreni bëjnë me dije se aktualisht situata po vihet nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara apo vetë uzinën.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që në këtë zonë shënohet zjarr, duke ngritur shqetësimin për sigurinë në një nga pikat më të ndjeshme industriale të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb