Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Zhabjakut dhe po përhapet me shpejtësi drejt fshatit Vilë-Bashtovë, në territorin e bashkisë Rrogozhinë. Flakët kanë shkrumbuar sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte, vreshta dhe tokë bujqësore, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit në disa drejtime.

Sipas informacioneve nga terreni, janë identifikuar 3 deri në 4 vatra aktive zjarri. Situata paraqitet tejet e ndërlikuar dhe problematike, pasi flakët kanë zbritur tashmë në kodrat përreth dhe janë shumë pranë zonave të banuara.

Forcat zjarrfikëse nga Rrogozhina dhe Kavaja janë në vendngjarje dhe po përballen me vështirësi në izolimin e zjarrit. Në ndihmë pritet të mbërrijnë edhe zjarrfikës nga Peqini. Banorët lokalë janë të shqetësuar, pasi zjarri po i afrohet banesave dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha materiale.

Autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë të lartë dhe bashkëpunim nga banorët, ndërsa po vlerësohen mundësitë për përfshirjen e mjeteve të specializuara për përballimin e situatës.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: