Një zjarr ka rënë paraditen e sotme në një banesë në lagjen “Granicë” të Gjirokastrës, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës. Menjëherë pas marrjes së informacionit, ekipi i shërbimit zjarrfikës është nisur drejt vendngjarjes.
Pas mbërritjes në vend, u konstatua se zjarri ishte shkaktuar si pasojë e një defekti në rubinetin e bombolës së gazit që përdorej për gatim. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të ekipit zjarrfikës, flakët u neutralizuan menjëherë dhe bombola u nxor jashtë ambientit të banesës, duke shmangur çdo pasojë më të rëndë.
Fatmirësisht, nuk janë raportuar dëme materiale apo lëndime në njerëz.
Autoritetet falënderojnë qytetarët për bashkëpunimin dhe u rikujtojnë të gjithëve rëndësinë e kontrollit dhe mirëmbajtjes periodike të pajisjeve të gazit, për të garantuar sigurinë në banesa.
