Një vatër zjarri është shfaqur këtë të shtunë në Parkun Kombëtar të Prespës, në territorin e Bashkisë Pustec, duke vënë në alarm autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencës.

Në terren ndodhen aktualisht mbi 50 forca zjarrfikëse, ndërsa aty raportohet se janë edhe punonjës të shërbimeve publike, të Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM), policisë kufitare si dhe prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole.

Zjarri është konstatuar në fazën fillestare dhe forcat në terren kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes në zona të tjera të parkut.

Sipas autoriteteve, janë marrë masat e para për menaxhimin e situatës, ndërsa terreni dhe përmasat e vatrës po vlerësohen për ndërhyrje të mëtejshme në vijim. Ende nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për banesa apo jetë njerëzish.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb