Prej më shumë se 72 orësh, vijon puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit që ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan. Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore, bën të ditur Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në një njoftim zyrtar për shtyp.

Në operacion janë angazhuar mbi 100 forca nga Bashkia Elbasan, bashkitë fqinje si dhe Forcat e Armatosura. Për shuarjen e flakëve po përdoren 10 mjete zjarrfikëse, 20 mjete të specializuara si edhe pompa thithëse me kapacitet të lartë që hedhin ujë direkt mbi vatrën aktive.

Ndërkohë, forcat xheniere dhe mjetet e rënda vetshkarkuese po punojnë në mbulimin e vatrës për të shmangur përhapjen e zjarrit. Operacioni mbështetet edhe nga ndërhyrja ajrore.

Në vendngjarje ndodhet një ekip ekspertësh të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme për nivelin e ndotjes dhe rrezikshmërinë mjedisore.

Autoritetet kanë siguruar se janë të përkushtuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar pasojat në mjedis. Publiku do të informohet rregullisht mbi çdo zhvillim të ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb