Në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë u gjetën eksplozivë, në Lituani u dogj një dyqan i IKEA-s, në aeroportin e Lajpcigut u gjet një dron, ndërsa në Londër u dogj një magazinë me pajisje për Ukrainën. Ndërkohë, në Francë u shfaqën koka derrash pranë xhamive.

Në shikim të parë të palidhura, incidente të ngjashme kanë ndodhur vitet e fundit në mbarë Evropën, por të gjitha kanë një të përbashkët: hetimet ose autoritetet në këto vende i lidhin ato me Rusinë.

Vetëm në Serbi, tre persona janë dënuar për spiunazh në favor të Rusisë dhe për nxitjen e incidenteve që kishin në shënjestër komunitetet hebraike dhe myslimane në Francë dhe Gjermani, ndërsa një person, i cili dyshohet se ka lidhje me sabotimet e kryera në emër të Rusisë në vendet e Bashkimit Evropian (BE), është dënuar me një vit arrest shtëpiak në Suboticë.

Rasti i tij lidhet nga mediat gjermane me shërbimet ruse të inteligjencës dhe incidentin e fillimit të gushtit në aeroportin e Lajpcigut, ku, pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave, u gjet një dron me një mjet shpërthyes.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ekspertët kanë regjistruar më shumë se 180 sulme të ngjashme.

“Ambicia e madhe është të na ndëshkojnë për mbështetjen që i japim Ukrainës”, thotë Kacper Rekawek, studiues i lartë dhe drejtues i programit në Qendrën Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit në Hagë (ICCT), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL).

Edhe një studim i Universitetit të Laidenit në Holandë, i publikuar në prill të këtij viti, thekson se që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Rusia po zhvillon një fushatë “veprimesh të fshehta”, të projektuara për të mbështetur përpjekjet e saj në vijën e frontit, duke “dobësuar mbështetjen evropiane për Ukrainën”. Në këtë drejtim, Kremlini ndihmohet nga “operativë të nivelit të ulët”, thuhet në studim, zakonisht shtetas të vendeve të tjera, të cilët nuk janë rusë dhe “nuk kanë lidhje zyrtare me shërbimet e inteligjencës”.

Por, kush janë njerëzit që kryejnë këto veprime në vendet evropiane, nga Polonia, Gjermania e Franca e deri në Britaninë e Madhe?

Bëhet fjalë kryesisht për “njerëz të zakonshëm”, shpjegon Rekawek.

“Ose ndoshta jo aq të zakonshëm, sepse ndonjëherë bëhet fjalë për ish-kriminelë, njerëz nga qarqet ekstremiste apo huliganë futbolli”, shton ai.

Deri vonë, operacionet e fshehta ruse në Evropë kryheshin kryesisht nga oficerë të inteligjencës, shpjegojnë në një studim GLOBSEC dhe Qendra Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit.

Studimi thekson, gjithashtu, se Rusia nisi ta zgjeronte fushatën e saj hibride në Evropë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Nga shpërthimi i 50 tonëve municione të magazinuara në Çeki, te përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi dhe tentativa për vrasjen e ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal në Angli, pas së cilës pasoi dëbimi i diplomatëve rusë. Sipas studimit mbi luftërat hibride, të publikuar vitin e kaluar, që nga viti 2018 janë dëbuar nga Evropa rreth 600 operativë rusë.

“Dhe, padyshim, nuk i keni më këta njerëz në komunitetet lokale, nuk i keni në terren. Prandaj, këto aktivitete duhet t’i kryeni në internet”, shpjegon Kacper Rekawek, duke shtuar se dëshira për të fituar para dhe njohja e gjuhës ruse luajnë rol në rekrutimin e tyre.

“Po flasim për refugjatë ose emigrantë ukrainas, refugjatë ose emigrantë bjellorusë, moldavianë. Po flasim për qytetarët e vendeve përkatëse, por edhe për rusë. Ka rusë në Letoni, rusë në Estoni, e kështu me radhë”.

Personat që nesër mund të transportojnë pako, të vënë zjarre apo thjesht të ngjisin afishe dhe të bëjnë grafite, gjenden në vendet ku kërkojnë punë, në faqet e internetit dhe në Telegram. Ndodh gjithashtu, shpjegon Rekawek, që të rekrutohet një person, i cili më pas duhet të rekrutojë të tjerë.

Ajo që po ndodh me rekrutimin e “njerëzve të zakonshëm” për incidente në mbarë Evropën i ngjan asaj që i ashtuquajturi Shteti Islamik (IS) bënte rreth një dekadë më parë, thotë studiuesi polak.

“Sepse dhjetë vjet më parë flisnim për mënyrën se si IS-i përdorte miqtë dhe familjen për të rekrutuar njerëz në rrjetin e tij. Pikërisht kjo po ndodh tani”, thotë Rekawek.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në rastin e zjarrit të vitit 2024 në një magazinë në Londër, ku ruheshin ndihma për Ukrainën.

Sipas informacioneve të prokurorisë britanike, zjarrin e organizoi grupi Wagner, përkatësisht Dylan Earl, i cili e kontaktoi vullnetarisht grupin përmes Telegram-it dhe ofroi ndihmën e tij. Më pas, ai rekrutoi burra të tjerë në Britani për të organizuar dhe kryer sulmin. Për këtë sulm, vitin e kaluar ata u dënuan me gjithsej 29 vjet burgim, ndërsa zjarri i organizuar në emër të Rusisë shkaktoi dëme prej gati një milion funtesh.

Disa zjarre u vunë edhe në Poloni. Kështu, në prill të vitit 2024, u dogj një dyqan që shiste pajisje, ndërsa prokurorët polakë deklaruan se sulmi ishte kryer në emër të shërbimeve ruse të inteligjencës.

Sa sulme janë kryer nga agjentë “njëpërdorimësh”?

Sipas ministrit të Jashtëm çek, Jan Lipavsky, vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan më shumë se 100 “incidente të dyshimta” që mund t’i atribuohen Rusisë.

Nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, deri në fillim të vitit 2026, studiuesit e GLOBSEC-ut kanë regjistruar më shumë se 150 incidente që lidhen me Rusinë. Rekawek thotë se numri tashmë është afër 180.

Për më tepër, vetëm në Gjermani, vitin e kaluar u regjistruan 320 përpjekje për sabotim të mundshëm. Megjithatë, siç theksojnë në GLOBSEC, përcaktimi i qartë i përgjegjësisë mbetet një sfidë, pasi autorët rrallë identifikohen. Rusia i mohon rregullisht akuzat se angazhon agjentë “njëpërdorimësh” për të kryer incidente në mbarë Evropën.

Megjithëse agjentët “njëpërdorimësh” veprojnë në të gjithë Evropën, shumica e sulmeve janë regjistruar në Poloni. Pas saj renditen Franca, Lituania, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Nga 180 incidentet e regjistruara nga Qendra Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit, një e treta kanë të bëjnë me zjarrvënie të qëllimshme.

“Nëse zjarri del jashtë kontrollit, njerëzit mund të vdesin. Deri më tani nuk ka ndodhur, por nuk jemi larg kësaj”, thotë Rekawek.

Në kuadër të këtyre operacioneve janë devijuar edhe trena dhe janë kryer lloje të ndryshme sabotimesh, si grafite nëpër mure dhe dërgimi i pakove me eksplozivë.

Kështu, në korrik të vitit 2024, nga Lituania u dërguan katër pako me mjete ndezëse.

Njëra prej tyre mori flakë më 20 korrik 2024 në qendrën e ngarkesave të DHL-së në aeroportin Lajpcig/Halle në Gjermani, pak para se të ngarkohej në një avion për në Britaninë e Madhe. Një tjetër mori flakë dy ditë më vonë në magazinën e DHL-së në Birmingem, ndërsa e treta shkaktoi zjarr në një rimorkio kamioni në Poloni. Pakoja e katërt u sekuestrua e paprekur.

Gjatë hetimeve paraprake, prokurorët lituanezë konstatuan se këto vepra penale ishin koordinuar nga shtetas rusë të lidhur me “shërbimet e inteligjencës ushtarake të Federatës Ruse”. U konstatua, gjithashtu, se në zbatimin e detyrave ishin përdorur shtetas të Lituanisë, Rusisë, Letonisë, Estonisë dhe Ukrainës.

“Për këtë qëllim, ata u gjetën përmes të njohurve, përmes rekrutimit dhe mbajtjes së kontakteve nëpërmjet Telegram-it, duke u ofruar shpërblime dhe duke u paguar me kriptovaluta”, deklaruan prokurorët lituanezë.

Sipas të dhënave të Eurojust-it, hetimi që përfshiu Gjermaninë, Lituaninë, Poloninë, Holandën dhe Britaninë e Madhe identifikoi gjithsej 22 persona të dyshuar në Lituani dhe Poloni, të cilët dyshohet se vepronin në interes të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse.

Disa raste aktualisht janë në gjykatë. Mes tyre është edhe rasti i Aleksandar Bezrukavjit, shtetas rus i ekstraduar në Poloni nga Bosnje e Hercegovina.

Sipas aktakuzës, të cilën Radio Evropa e Lirë e siguroi nga Gjykata e Varshavës, Bezrukavji ishte pjesë e një grupi dhe kishte përgjegjësi të veçantë për përgatitjen e dërgesave testuese drejt SHBA-së dhe Kanadasë.

Për pesë prej tyre, përfshirë Alexander Casianin, i cili ka shtetësi të dyfishtë ruse dhe moldaviane, aktualisht janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare.

Rasti që përfshin shtetasin moldavian po hetohet edhe në Francë, për shkak të vandalizmit dhe grafiteve kundër Ukrainës. Iurie Manic u arrestua në Rumani, por u la të mbrohej në liri, pasi Franca nuk e mori në dorëzim brenda afatit të parashikuar.

Në Francë, ai rrezikon deri në pesë vjet burgim, pasi gjatë verës së vitit 2024 rekrutoi moldavianë të tjerë për të vizatuar grafite që paraqisnin arkivole dhe mbanin mesazhin “ushtarët francezë në Ukrainë”.

Në shumicën e rasteve, motivi i personave që quhen edhe agjentë “njëpërdorimësh” është paraja dhe, më rrallë, qëndrimet proruse. Megjithatë, siç shton Rekawek, nuk e dimë se çfarë mendojnë personat që angazhohen kundrejt pagesës.

“Por, po, nuk bëhet fjalë për një fushatë rekrutimi të udhëhequr nga ideologjia”.

Për shembull, një studim i Qendrës Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit evidenton 172 individë që kanë marrë pjesë në këto incidente në mbarë Evropën. Prej tyre, 95 për qind janë qytetarë të zakonshëm, pa asnjë lidhje me agjencitë ruse të sigurisë. Motivi i tyre është fitimi i parave dhe, ndonjëherë, simpatia proruse, thuhet në studim.

Siç shpjegon Rekawek, në rastin e personave që rekrutohen nga Serbia, kërkohet “pak vullnet i mirë”, por gjithsesi bëhet fjalë për para.

“Nuk e di deri në çfarë mase ka pasur ndonjë lidhje ideologjike”, shton Rekawek. “Nëse jeni shërbim rus i inteligjencës dhe dëshironi të rekrutoni njerëz për detyra të këtij niveli, është më e lehtë ta bëni këtë në Beograd sesa, për shembull, në Talin, Helsinki apo Varshavë. Supozoj se kjo luan rol, por megjithatë do të thoja se faktori vendimtar janë paratë”.

Shpërblimet e paguara sillen nga shtatë euro deri në 10.000 euro, ka treguar studimi. Shuma rritet në varësi të rrezikut. “Për grafite apo afishe mund të fitohen disa euro, ndërsa zjarrvënia ose sabotimi mund të sjellin mijëra euro”, thuhet në studimin “Kriminaliteti si mjet i luftës hibride në Evropë”.

Në rastin e grupit që, me urdhër të shërbimit rus të inteligjencës, nxiti trazira në Francë dhe Gjermani, në aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Smederevë, të cilin gazetarët e Radios Evropa e Lirë e kanë shqyrtuar, thuhet se, përveç mbulimit të shpenzimeve të udhëtimit – përfshirë marrjen me qira të automjeteve, blerjen e biletave të autobusit dhe avionit dhe akomodimin në hotele – anëtarëve të grupit u ishte premtuar pagesë për çdo “punë” të kryer: 500, 1.000 ose 1.500 euro.

Aktgjykimi ndaj personit të gjykuar në Suboticë, i cili kishte pranuar të transportonte një dron kundrejt pagesës, tregoi se ai duhej të merrte 500 euro. Sipas aktgjykimit, të cilin e ka shqyrtuar Radio Evropa e Lirë, personi i dënuar kishte arritur ta transportonte pajisjen në vendin e përcaktuar.

Ndërsa vazhdojnë hetimet dhe gjykimet për dhjetëra e qindra raste të llojeve të ndryshme të sulmeve të regjistruara në qytetet evropiane, studiuesi Kacper Rekawek thotë se “nuk ka fitore përfundimtare” ndaj agjentëve “njëpërdorimësh”.

“Mund t’i pengoni rrjetet duke ndërhyrë në komunikimet e tyre. Por, nëse Rusia dëshiron vërtet të rekrutojë dikë për një detyrë të nivelit të ulët, ajo do ta bëjë këtë”.

Ajo që mund të bëhet është kufizimi i këtyre fushatave, frenimi i tyre.

“Dhe, mbështetja edhe më e madhe për Ukrainën”, përfundon Rekawek.

Në raportin e tyre, GLOBSEC dhe Qendra Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit rekomandojnë një sërë masash për qeveritë kombëtare dhe institucionet e BE-së, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së Evropës. Ndër to janë pengimi i rekrutimit, kufizimi i stimujve për krimin e organizuar dhe forcimi i qëndrueshmërisë institucionale./REL/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb